×
  • Lajme
  • Lajme

    “Vendimi dhe Dekreti janë dy lloje të ndryshme të akteve” – reagimi amatoresk i Zyrës së U.D të Presidentes

    Reporteri
    28 Janar 2021 | 16:18

    Vendimi dhe Dekreti, pa marrë parasysh emërtimin, janë akte. Dhe si të tilla, Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj KO54/20 dhe KO61/20, thekson se “është vendosur që nuk duhet fokusuar vetëm në emërtimin e një akti por në përmbajtjen dhe efektet e tij”. Për Zyrën e U.D. të Presidentes së Kosovës, “Vendimi dhe Dekreti janë dy lloje të ndryshme të akteve”.


    Zyra e u.d. Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e tyre ndaj raportimit të Gazetës Online ‘Reporteri.net’ kanë treguar sërish se kanë pak njohuri në procedurat kushtetuese.

    Kjo Zyrë, në një pjesë të reagimit thotë se “Vendimi dhe Dekreti janë dy lloje të ndryshme të akteve, të cilat nxirren nga u.d. Presidentja”.

    “Si të tilla, të dyja kanë numra të ndryshëm të regjistrimit dhe evidentimit të tyre që përkojnë me llojin e aktit juridik. Para nxjerrjes së Dekretit për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë, në vitin 2021 janë nxjerrë dy dekrete të tjera, që mbajnë numrat paraprak të protokollit për Dekrete. Kurse para marrjes së Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve është nxjerrë një vendim tjetër paraprak me numër rendor para vendimit në fjalë”, thuhet në reagimin e tyre.

    Por krejt interpretim tjetër kishte pasur Gjykata Kushtetuese në interpretimin e dy rasteve që janë atakuar tek kjo gjykatë. E hiq më pak se para një viti, janë dhënë të dy interpretimet në fjalë, KO54/20 dhe KO61/20, për dy vendime të ish-kryeministrit Kurti rreth masave Anti-Covid të nxjerra në vitin 2020.

    Gjykata Kushtetuese në piken 161 të aktgjykimit KO54/20 për “Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 01/15 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 23 marsit 202”, shprehimisht thekson se “Gjykata në praktikën e saj gjyqësore, në thelb, veçse është vendosur që nuk duhet fokusuar vetëm në emërtimin e një akti por në përmbajtjen dhe efektet e tij…”.

    Shprehimisht, Gjykata të njëjtin konstatim e jep në paragrafin 53 të aktgjykimit KO61/20 për “Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 214/IV/2020] të 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”; dhe Vendimeve [nr. 229/IV/2020], [nr. 238/IV/2020], [nr. 239/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në territorin e Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut”.

    “Kjo praktikë gjyqësore është konfirmuar edhe në rastin e fundit të Gjykatës, respektivisht Aktgjykimin KO54/20, përmes të cilit Gjykata, duke e shpallur të pranueshme kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 01/15 të 23 marsit 2020 të Kryeministrit, kishte theksuar se (i) në përcaktimin nëse kontestohet një “dekret” i Kryeministrit në kuptim të nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 të Kushtetutës, “nuk duhet fokusuar vetëm në emërtimin e një akti por në përmbajtjen dhe efektet e tij” (shih paragrafin 161 të
    Aktgjykimit KO54/20);”, thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka raportuar sot se si zyra e U.D. së Presidentes së Kosovës ka shpallur fillimisht zgjedhjet e më pastaj ka nxjerrë dekretin për shpërbërjen e Kuvendit.

    E një analizë e punuar nga juristë dhe ekspertë Kushtetues për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ nxjerrë fakte se ky lëshim i presidencës, sikurse edhe mos botimi i dekretit në Gazetën Zyrtare, janë shkelje të Kushtetutës dhe procedurave të saj.

    ANALIZË: U.D. Presidentja ka shpallur zgjedhjet në kundërshtim me Kushtetutën

    Pas publikimit të artikullit dhe analizës, Zyra e U.D. të Presidentes së Kosovës ka reaguar duke e nxjerrë për herë të parë, pas gati një muaji, në publik, dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

    Me publikimin e këtij dekreti, Zyra e u.d. të Presidentes ka konfirmuar raportimin se dekreti është nxjerrë pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve më 14 shkurt 2021. Kjo është lehtë e vërejtshme, vendimi ka numër 02/2021, ndërsa dekreti 03/2021.

    Në numra, është e thjesht dhe elementare, 2-shi vjen pas 3-shit, e jo anasjelltas. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!