×
  • Lajme
  • Lajme

    ANALIZË: U.D. Presidentja ka shpallur zgjedhjet në kundërshtim me Kushtetutën

    Reporteri
    28 Janar 2021 | 13:30

    Gazeta Online ‘Reporteri’


    Një lëshim procedural si rezultat i moszbatimit të Kushtetutës dhe të procedurës Kushtetuese, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese përmes të cilit ajo konstatoi pavlefshmërinë kushtetuese të Qeverisë Hoti, rrezikon që zgjedhjet e parakohshme të shpallura me vendimin Nr. 02/2021, për datën 14 shkurt 2021, të anulohen, në rast se një grup i deputetëve i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë që dekreti i U.D. Presidentes të shpallet jokushtetues.


    Nuk është kontestues fakti se në mesin e kompetencave të Presidentit të Republikës së Kosovës është edhe shpallja e zgjedhjeve. Mirëpo, ky autorizim kushtetues mund të realizohet vetëm nën kushtet dhe procedurat e parapara me Kushtetutë.

    Për dallim nga zgjedhjet e rregullta të cilat mbahen në fund të mandatit të rregullt legjislativ, zgjedhjet e parakohshme paraqesin një situatë të jashtëzakonshme e cila paraqitet si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të mandatit katër (4) vjeçar të legjislaturës. Pra kur përmbushën kriteret e nenit 82 të Kushtetutës për shpërndarjen e Kuvendit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Sipas paragrafit 1 të këtij neni, Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh pas fillimit të procedurës dështon zgjedhja e Qeverisë, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe në rastin e tretë kur brenda afatit 60 ditësh pas fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë.

    Në këto tre raste, por edhe në atë sipas paragrafit 2 kur shpërndarja e Kuvendit vjen si rezultat i votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, shpalljes së zgjedhjeve i paraprinë shpërndarja e Kuvendit. Për shpërndarjen e Kuvendit kërkohet dekret i veçantë derisa zgjedhjet shpallen me vendim, ose kjo mund të paraqitet si pikë e veçantë, e të njëjtit dekret. Mirëpo pavarësisht aspekteve teknike, shpërndarja e Kuvendit si pasojë e një dekreti nga Presidenti realizohet vetëm pasi ai akt juridik të ketë hyrë në fuqi sipas procedurave Kushtetuese.

    Gjykata Kushtetuese nuk e ka shpërndarë Kuvendin

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte konsideruar se Kuvendi kishte dështuar të zgjedh Qeverinë në raundin e fundit të lejuar për një procedurë të tillë. Për këtë arsye, sipas Gjykatës janë plotësuar kushtet që sipas nenit 95.4 të Kushtetutës të shpërndahet Kuvendi dhe të shpallen zgjedhjet brenda 40 ditësh nga dita e publikimit të vendimit të saj.

    Mirëpo, ajo që bien në sy është fakti se Gjykata Kushtetuese nuk i ka ndërprerë mandatin Kuvendit në mënyrë automatike. Një gjë të tillë e thekson Gjykata në pikën 286 të vendimit të saj. Konkretisht “Në fund, Gjykata gjithashtu sqaron se konstatimi që Vendimi i kontestuar i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, nuk rezulton me shpërndarjen automatike të Kuvendit.”

    Për këtë arsye, Gjykata e ka bërë të qartë se shpallja e zgjedhjeve duhet të bëhet në përputhje me procedurat kushtetuese në fuqi dhe nuk e ka konsideruar vetën si organ që e shpërndan Kuvendin. Ajo vetëm ka konstatuar jokushtetutshmërinë e një vendimi të Kuvendit dhe ka udhëzuar institucionet kompetente, në këtë rast Presidencën, që të shpallë zgjedhjet sipas procedurave kushtetuese në fuqi.

    Praktika e deritanishme

    Republika e Kosovës nuk arriti që të konsolidon një demokraci stabile pas shpalljes së Pavarësisë. Asnjëra nga qeveritë e zgjedhura që nga viti 2007 e tutje nuk ka arritur që të përfundojë mandatin e saj kushtetues, si rezultat i paqëndrueshmërisë dhe papjekurisë politike.

    Ndonëse në Republikën e Kosovës janë organizuar deri më tani katër parë zgjedhje, e të pestat janë në proces e sipër të organizimit, ato asnjëherë nuk ishin rezultat i dështimit për të zgjedhur Qeverinë. Mirëpo pavarësisht shkakut, ato paraqesin ndërprerje të parakohshme të mandatit të Kuvendit. Për këtë arsye, presidentët e mëhershëm, në dekretin që shpallte zgjedhjet, në pikën e parë e shpërndanin Kuvendin, ndërsa në pikën e dytë i kishin shpallur zgjedhjet.

    A e ka pasur obligim U.D. Presidentja të shpërndanë Kuvendin para se të shpallë zgjedhjet?

    Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk përmban dispozita në lidhje me mënyrën e shpalljes apo organizimit të zgjedhjeve. Ngjashëm sikurse Kushtetutat e shteteve demokratike një gjë e tillë parashihet me ligjet nacionale për zgjedhjet. Kjo nuk paraqet një interpretim të Kushtetutës përmes ligjit, por një materializim të Kushtetutës përmes rregullimit të procedurave të caktuara.

    Ligji Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës në nenin 4.5 përcakton se “Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat.”

    Nga formulimi i kësaj dispozite ligjore, kuptohet shprehimisht se Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shpallë zgjedhjet e parakohshme vetëm “pas” shpërndarjes së Kuvendit. Në të kundërtën, një veprim i tillë paraqet ndërhyrje arbitrare të Kreut të Shtetit në Kuvendin si organ legjislativ në Republikën e Kosovës. Ky përkufizim ligjor është në përputhje me parimin kushtetutës të ndarjes së pushteteve dhe me pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës së Kosovës si Kreu i Shtetit. Prandaj, U.D. Presidentja është dashur që të shpërndajë Kuvendin para se t’i shpallë zgjedhjet.

    Pasojat e këtij veprimi jokushtetues

    Fakti se janë shpallur zgjedhjet, por nuk është shpërndarë Kuvendi rezulton me një situatë të panjohur deri më tani në demokracitë parlamentare. Një situatë e çuditshme, ku legjislaturës aktuale nuk i është ndërprerë mandati në përputhje me Kushtetutën. Për këtë arsye, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës munden brenda afatit 6 mujor që nga shpallja e dekretit nga U.D. Presidentja ta atakojnë të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese.

    Në një përgjigje për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, Presidenca deklaron se “u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, dr.Vjosa Osmani duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Rastin KO95/20, pas konsultimit paraprak me subjektet politike, dhe duke u mbështetur në dispozitat ligjore dhe praktikat paraprake, para shpalljes së datës së zgjedhjeve e ka shpërndarë legjislaturën e shtatë, përmes Dekretit nr.03/2021, të datës 6 janar 2021. Pas nxjerrjes së Dekretit, është pasuar me Vendimin për shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

    ”.

    Përgjigja e Presidencës shpërfaq dy fakte të rëndësishme të cilat ngjallin pikëpyetje për kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur. Së pari, në bazë të numrit të protokollit vërehet se dekreti për shpërndarje të legjislaturës është regjistruar me numër 3, ndërsa vendimi Nr. 02/2021 për shpalljen e zgjedhjeve me numër 2, që nënkupton se ka pasur një gabim në hapat procedural.

    Paradoksalisht së pari shpallen zgjedhjet e pastaj shpërndahet Kuvendi! Ndërsa procedurat parashohin që së pari të shpërndahet Kuvendi e pastaj të shpallen zgjedhjet.

    Së dyti, dekreti i lartpërmendur për shpërndarjen e legjislaturës së shtatë nuk është publikuar asnjëherë në Gazetën Zyrtare, për dallim nga vendimi Nr. 02/2021 për shpalljen dhe caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Në vendimin Nr. KO89/16, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka theksuar se asnjë akt juridik nuk mund të konsiderohet në fuqi nëse i njëjti nuk publikohet në Gazetën Zyrtare. Gjykata kishte theksuar se një akt ligjor mund të hyn në fuqi para afatit 15 ditor të përcaktuar me nenin 80 të Kushtetutës, por vetëm pasi i njëjti të jetë publikuar. Gjykata ka sqaruar se ndonëse neni 80 i Kushtetutës përmend vetëm ligjet parlamentare, i njëjti zbatohet edhe në raport me aktet tjera juridike që nxirren nga institucionet tjera në Republikën e Kosovës.
    Në situatën aktuale, ekziston rreziku që jo vetëm pas procesit zgjedhor, por edhe pas procesit të zgjedhjes së Qeverisë apo Presidentit të ri, një grup i deputetëve nga legjislatura aktuale, të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që ky dekret të shpallet në kundërshtim me Kushtetutën.

    Tutje, të njëjtit po ashtu e kanë të bazuar pretendimin hipotetik, se U.D. Presidentja i ka cenuar të drejtat e tyre si deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke shpallur zgjedhjet pa e shpërndarë Kuvendin. Në këtë kuptim, për aq kohë sa Kuvendi nuk është i shpërndarë, për shkak se dekreti të cilin e përmend Presidenca nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare e rrjedhimisht nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk krijon pasoja juridike, deputetëve të legjislaturës aktuale u takojnë të gjitha të drejtat dhe privilegjet e deputetit.

    Zgjedhja e një përbërje të re të Kuvendit, paralelisht me një përbërje me mandat të pandërprerë në kuptim të rregullave kushtetuese, jo vetëm që paraqet cenim të dispozitave kushtetuese, por edhe çudi të llojit të vet.

    Vendimi 02/2021 i u.d. të Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve: 

    Komentuari i KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS (Botimi 1 – Prof. Dr. Enver Hasani / Prof. Dr. Ivan Čukalović) për nenin 82.1 të Kushtetutës që parasheh shpërndarjen e Kuvendit:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!