Ndonëse kanë kaluar një muaj që nga shembja e njërit segmet rrugor në autostradën, Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në afërsi të fshatit Mazgit, ndërhyrjet për riparimin e saj nuk kanë ndodhur.
Shkak i prishjes së kësaj rruge po del të jetë rrëshqitja e dheut nga reshjet atmosferike që mbizotëruan në janar.
Drejtori i Menaxhimit të Rrugëve që vepron në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Mal Lokaj, deklaroi për Gazetën Online “Reporteri” se ky segment është në terren të rrëshqitshëm dhe shirat e ditëve të fundit kanë ndikuar që të shembet rruga.
“Ka shembje sepse është një terren shumë i rrëshqitshëm, edhe pas reshjeve të shiut që kanë mbizotëruar kohëve të fundit edhe ngacmimi i tyre përderisa po punohej për zgjerimin, praktikisht gërmimi që është bërë i ka kriju mundësi shembjes. Kompanitë nuk kanë punuar kohëve të fundit për shkak të kushteve atmosferike, por që besoj që ato do të sanohen shumë shpejt. Është formuar një komision dhe në kuadër të saj, do të mundohemi që ta rregullojmë shumë shpejt”, deklaroi Lokaj.
Kjo rrugë ka qenë projekt i Qeverisë Haradinaj, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës.
Ky projekt ka filluar në mars të vitit 2019, ku është bërë inaugurimi i segmentit të parë me gjatësi rreth 5 kilometra dhe që ka kosto mbi 4 milionë euro ndërsa, e gjithë vlera e projektit është rreth 57 milionë euro dhe ka 31 kilometra./Reporteri.net