×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia e Kosovës njofton për planin e tyre në ditën e zgjedhjeve

    Reporteri
    14 Shkurt 2021 | 7:59

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përmes hartimit të urdhrit operativ policor, me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.


    Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë bashkërenduar dhe koordinuar aktivitetet e përbashkëta me Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përderisa në aspektin policor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

    Në njoftimin për media është bërë e ditur se planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e planit policor në katër faza, duke filluar nga;

    1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,

    2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,

    3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),

    4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim.

    Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është:

    Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, gjithnjë duke zbatuar edhe (ligjin Nr.07/L-006, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë ‘COVID-19’ në tërë territorin e Republikës së Kosovës, vendimet e Qeverisë së RKS-së, vendimet dhe qarkoret Ministrisë së Shëndetësisë si dhe rekomandimet e IKSHP-së.

    Sigurimin e Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depos Qendrore.

    Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

    Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!