×
  • Lajme
  • Lajme

    Humbja e thellë që po e çon LDK-në në reformim, themeluesit e saj: Dorëheqja e Isa Mustafës e vonuar, rënia e partisë e pritur

    Reporteri
    15 Shkurt 2021 | 17:48

    Autor: Mirlind Behluli 


    Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi humbjen me të thellë që nga krijimi i saj. Ndonëse parti me histori 31 vjeçare, LDK të dielën arriti ti fitojë vetëm 13,08% të votave. E shkaku i rezultatit më të ultë historik, Isa Mustafa, kryetar i deritanishëm i LDK, së bashku me Kryesinë e kësaj partie dhanë dorëheqje nga postet e tyre.


    Themeluesit e LDK-së e kanë mirëpritur dorëheqjen e Mustafës me shokë.

    Jusuf Buxhovi, njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Ibrahim Rugovës, liderit historik të LDK-së, thotë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se dorëheqja e Mustafës nga kreu i partisë është e vonuar.

    Madje historiani që është njëri nga themeluesit kryesor i LDK-së thotë se në kohën e udhëheqjes së Mustafës janë krijuar grupe mafioze në qarqe të caktuara të partisë.

    “Një dorëheqje e vonuar dhe dorëheqja nuk mjafton. Sepse ky njeri është shkaktar i rrënimit të brendshëm të LDK. Gjatë kohës së tij janë humbur gjashtë palë zgjedhjesh. Janë kriju grupe mafioze brenda LDK-së. “, ka thënë Buxhovi për Reporteri.net.

    Edhe Milazim Krasniqi, bashkëthemeluesi tjetër i LDK-së, thotë se dorëheqje e Mustafës nga udhëheqja e partisë është e vonuar. Që në krye të herës, sipas Krasniqit, Mustafa nuk do të duhej të zgjidhej lider i LDK-së.

    “Dorëheqja e Mustafës është ekstremisht e vonuar. Kurrë s‘u dashtë me kanë kryetar i LDK-së, sepse ai ka një prejardhje të kundërt me LDK. Por në lojërat e pista brenda LDK-së, është kriju një hapësirë për kontrabandimi ne një figure të tillë“, deklaroi Krasniqi të hënën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    Skender Zogaj, edhe ky themelues i LDK-së, e vlerëson si gjest të duhur dorëheqjen e Mustafës dhe Kryesisë së LDK-së.

    Por, për dallim nga Krasniqi e Buxhovi, ai thotë se dorëheqja nuk nënkupton pranim të fajit.

    “Absolutisht është elementarja që udhëheqësia me dhanë dorëheqje sepse është borxh moral. Dorëheqja nuk nënkupton faj, por pamundësi me shku me tutje dhe nënkupton dhënie të hapësire të tjerëve. Dorëheqja e Mustafës dhe Kryesisë është gjëja më e mirë që ka ndodh në LDK në vitet e fundit“, ka thënë Zogaj për Reporteri.net.

    Por, rezultati jo i mirë i LDK-së duket se nuk ka qenë krejtësisht e papritur. Madje Zogaj thotë se është humbje e merituar.

    “Si themelues të LDK-së jemi jo të kënaqur me rezultatin e fundit. Humbja e LDK-së ka qenë e merituar, është gjë e pritshme. Sepse ka vite që LDK ka pas fërkime të brendshme. LDK u ndëshkua, ashtu siç është shpërbly VV. LDK mund të konsolidohet“, tha Zogaj.

    Se LDK mund të reformohet e thotë edhe Jusuf Buxhovi. E konsolidimi i LDK-së, sipas Buxhovit, do të thotë rikthim në kulturën e saj demokratike.

    Tha se LDK viteve të fundit ishte shndërruar në patericë të partive të tjera e veçanërisht të PDK-së.

    “LDK mund të konsolidohet nëse i hy rrugës së reformave. LDK është partia bazë e shtetit të Kosovës dhe duhet ta kemi LDK-në si një parti të djathtë, intelektuale që i kthehet kulturës së saj demokratike. Pra jo LDK të tillë si patericë e partive të tjera e veçanërisht e Partisë Demokratike të Kosovës“, shtoi Buxhovi për Reporteri.net.

    Edhe Milazim Krasniqi e vlerëson se LDK mund të reformohet.

    “Unë besoj që LDK duhet të provoj të korrigjoj gabimet. Korrigjimi i gabimit nëse ajo e ndërron statutin që e pamundëson garën brenda partisë. Konsideroj që LDK duhet ta praktikojë parimin një anëtar një votë në zgjedhjen për kryetar të partisë“, tha Krasniqi.

    Të tre themeluesit e LDK-së i uruan fitoren LVV-së, e cila nga perspektiva e Buxhovit, Krasniqi Zogajt, ka qenë e nevojshme dhe fitore meritore.

    Lëvizje Vetëvendosje është dukshëm partia më e madhe në vend, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së. E udhëhequr nga Albin Kurti, LVV më 14 shkurt fitoi 47,89% të votave, pasuar nga PDK-ja me 17,36%, dhe e treta LDK-ja me vetëm 13,08%. AAK-ja do të jetë partia shqiptare më e vogla në Kuvend, pasi në zgjedhje doli me 7,40%, dhe pasi NISMA mbeti nen prag. /M.B./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!