Drejtori i Gazetës Online “Reporteri.net”, Bekim Kabashi, ka komentuar zhvillimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në emisionin Prime Time në Kanal 10, Kabashi ka thënë se udhëheqësia e re e LDK-së, mund t’i rinisë kontaktet me Vjosa Osmanin, pas shkarkimit të saj nga pozitat udhëheqëse të partisë, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, Lumir Abdixhiku ose Kujtim Shala mund të jenë ata që munden t’i rikrijojnë marrëdhëniet me Osmanin, duke ia bërë asaj kuorumin për presidente.
Tutje, Kabashi ka folur edhe për pozitën e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kreut të LDK-së.
Sipas Kabashit, me shkuarjen e Mustafës, fuqia e Hotit do të bjerë.
Kjo pasi që sipas tij, Hoti është figurë e ngritur nga Mustafa dhe jo përmes strukturave të partisë.
“Me shkuarjen e Mustafës, do të bjerë fuqia e Hotit, se nuk ka ardhë përmes strukturave të partisë, por është figurë e ngritur nga zoti Mustafa.”, ka thënë Kabashi.
Ai ka theksuar faktin se Hoti në asnjë palë zgjedhje, nuk ka arritur të dalë i pari në fshatin e tij të lindjes.
Kujtojmë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi humbjen me të thellë që nga krijimi i saj.
Ndonëse parti me histori 31 vjeçare, LDK të dielën arriti ti fitojë vetëm 13,08% të votave.
E shkaku i rezultatit më të ultë historik, Isa Mustafa, kryetar i deritanishëm i LDK, së bashku me Kryesinë e kësaj partie dhanë dorëheqje nga postet e tyre. /Reporteri.net