Kuvendi i Kosovës ka caktuar për nesër seancë të re plenare në ora 10:00, që ka në rend dite 7 pika.
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, janë dy pikat e zakonshme për seancën e re.
E pas tyre, Kuvendi synon shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, më pas formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, vendimin për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave, vendimin për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës, si dhe në fund caktimin e Ditës së Gjenocidit.
Kuvendi sot ka dështuar të mbajë seancë për shkak mungesës së kuorumit.
Kryekuvendari Kadri Veseli sot vizitoi vendin ku do të ndërtohet Memoriali i dëbimit të shqiptarëve nga forcat serbe.
Ky tribunal shtoi Veseli përkrahet edhe nga ndërkombëtarët, ndërsa shtoi se kjo nismë u duket e vonë “vetëm atyre që gjithë jetën janë në gjumë dhe tuten prej hijes së tyre”, duke aluduar në kreun e LDK-së Isa Mustafa i cili ka deklaruar se “Kosova nuk mund ta themelojë Tribunalin për krimet e Serbisë në Kosovë”.
Lidhur me idenë e Veselit për Tribunalin kanë reaguar ashpër në Seri.
Kujtojmë se Kuvendi me 15 prill me 66 vota pro të deputetëve miratoi rezolutën për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë.
Kjo iniciativë doli saktësisht me 12 prill nga kryekuvendari Kadri Veseli i cili në një Akademi përkujtimore për të rënët në Lubizhdë të Prizrenit, tha se “ka ardhë koha që të themelohet një gjykatë e tillë”.
/Reporteri.net/.