29 humvee ka marrë Shqipëria donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato do të jenë në dispozicion të ushtrisë shqiptare në kuadër të ndërveprimit me NATO-n.
Vetë Ambasada Amerikane nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar mbi këtë donacion.
”Njëzet e nëntë Automjete Shumë-Përdorimshme me Lëvizshmëri të Lartë (Humvee) mbërritën sot në Portin e Durrësit. Këto automjete janë dhurim për Forcat e Armatosura të Shqipërisë nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të ndihmojnë në rritjen e gatishmërisë ushtarake shqiptare dhe ndërveprimit të saj me NATO-n”, ka shkruar Ambasada e ShBA në Tiranë.