Këto rrugë gjarpërore të shpijnë në zemër të bjeshkëve, aty ku shpirti frymon lirshëm nga qetësia e sytë kënaqen nga bukuria.
Më pak se 20 km larg qytetit të Ferizajt, me mbi 1200 metra lartësi mbidetare, gjendet fshati përrallor i Jezercit, i cili për shkak të pozitës që ka e bukurive që ofron, tashmë është një nga destinacionet më të frekuentuara në të gjitha stinët e vitit.
Përtej peizazhit të bukur që ofron natyra e Jezercit, majat e bjeshkëve, aty ku disa pjesë të Kosovës shihen sikurse në pëllëmbë të dorës, po shfrytëzohen edhe për të ndërtuar atraksione turistike.
Bukurie Biba – Hoxha thotë se ajri i pastër, uji, lartësia mbidetare, këto janë krejt ato që e lidhin një vend për me kon i kërkuar edhe i vizituar.
“Prej që u hapë, sezona e parë ka qenë shumë e mirë, ka ecë puna shumë mirë. Njerëzit janë kanë vizitorë të rregullt ktu te na. E kanë pa që edhe ajri edhe uji edhe ushqimi edhe shërbimi ka qenë shumë në nivel. Tash na e kemi kuptu që me të vërtetë ish kan shumë investim me vend, në vendin e duhur në kohën e duhur”, tha ajo për TV Dukagjini.
“Ktu investimi kur u ba, u ba që me lan sa ma shumë dritare, që edhe ata që rrinë brenda me pas pamjen e bukur, me shiju këtë pamje. Pastaj, hapësira e jashtme te lojnat e fmive është shumë e madhe, e gjerë. Familjarët e kanë pjesën e vetë kur janë me fmi të vogël. I kanë fminë para syve, i kontrollojnë ma lehtë, ndihen ma rehat”, tha Hoxha.