×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti kërkesë urgjente AKP-së: Pezulloni çdo vendim deri në komunikimin e ardhshëm

    Reporteri
    25 Mars 2021 | 14:47

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot një e-mail, kryetarit të Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Bajram Zejnullahu, anëtarëve të këtij bordi dhe drejtorit menaxhues, Valon Tolaj.


    U ka kërkuar që deri në komunikimin e radhës të mos marrin vendime që kanë të bëjnë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore.

    “Jam njoftuar që sot po mbahet mbledhja e 147-të e Bordit… Pas shqyrtimit të agjendës që keni për mbledhjen e sotme, më poshtë ju lutem gjeni kërkesën time urgjente”, thuhet në letrën e Kurtit, shkruan Indeksonline.


    Kryeministri kërkon nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) që të pezullojë deri në komunikimin e ardhshëm çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tenderë publikë.

    “Po ashtu, kerkoj që të pezulloni çdo vendimmarrje te ndërmarrjet shoqërore që janë të privatizuara me kushte e që janë akoma nën administrimin e AKP-së”, ka shkruar Kurti.

    Sipas kryeministrit, Qeveria e re ka filluar punën këtë javë dhe programi qeverisës do të hartohet së shpejti.

    “Në këtë program adresojmë edhe veprimtarinë, kompetencat dhe funksionin e AKP-së. Ju lutem të keni në konsideratë këtë kërkesë deri në vendimin e ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në e-mailin e Kurtit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!