Osmani: Investimi në edukimin e hershëm është çelës për zhvillimin e potencialit dhe talentit të fëmijëve
Reporteri
21 Prill 2021 | 22:28
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit, ka thënë se investimi në edukimin e hershëm dhe në inovacion e teknologji, është çelës për zhvillimin e potencialit dhe talentit të fëmijëve.
Kështu u shpreh ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
” Sot këta fëmijë na konfirmuan se bashkëjetesa me teknologjinë tashmë është e pashmangshme, dhe se investimi në edukimin e hershëm dhe në inovacion e teknologji, është çelës për zhvillimin e potencialit dhe talentit të tyre”, shkroi ajo,
Sot, në Ditën Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit kalova një pasdite të këndshme me Edrin, Lyren, Amaren, Ardin, Riga, Diten, Ninen, Rronin, Zanen, Morean – fëmijët e talentuar nga BONEVET.
Për ca çaste, ata mjeshtërisht na rikthyen në botën e fëmijërisë. Teksa i shihnim se si përmes robotikës gjallërohej imagjinata e tyre dhe kur programonin rrugën e duhur në menyrë që të shmangin pengesat në lojë dhe të perfundojnë sfidat me sukses, e përjetuam bashkë me ta një emocion të veçantë të lirisë, ashtu siç mundet njeriu ta përjetojë vetëm gjatë fëmijërisë.
Ajo botë e pastër, ai shpirt kreativ, ai kuriozitet i jashtëzakonshëm e ngazëllim, duhet kultivuar dhe mbështetur, e këtë po e bëjnë jashtëzakonisht mirë mentorët e BONEVET. Sot këta fëmijë na konfirmuan se bashkëjetesa me teknologjinë tashmë është e pashmangshme, dhe se investimi në edukimin e hershëm dhe në inovacion e teknologji, është çelës për zhvillimin e potencialit dhe talentit të tyre.