Autor: Mirlind Behluli
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka demantuar deklarimet publike në Kosovë e shkrimet në media në Serbi se është ofruar për të dhënë garanci Gjykatës Speciale për t’i mundësuar ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e të tjerëve që të mbrohet në liri.
Nga Zyra e Presidentit të Kroacisë në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net” kanë thënë se Milonoviq e ka të pamundur të ofroj garanci për Thaçin e të tjerët që të mbrohet në liri.
“Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milonovic, ka komentuar publikisht mbi raportimet e mediave për ofertën e pretenduar të tij të garancive për lirimin e Hashim Thaçit duke thënë se: Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tilla, nuk kam kompetenca të tilla”, thuhet në përgjigjen e Presidencës kroate për Reporteri.net.
Gjatë ditës qëndrimin rreth kësaj teme e ka bërë publike edhe Qeveria e Kosovës.
“Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen “shtete të treta” të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por Kosova nuk është “shtet i tretë”, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës. Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, ka thënë Qeveria në një përgjigje për Reporterin.
Edhe Presidenca e Kosovës ka reaguar rreth kësaj çështje duke sqaruar se nuk mund të ofroj garanci për Thaçin e të tjerët.
Në një vendim të Dhomës së Apelit të Speciales është lënë mundësia që një shtet i tretë të ofroj garanci për mbrojtje në liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.