×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon edhe Presidenca: Kosova s’mund ta garantojë lirimin me kusht për Thaçin dhe të tjerët

    Reporteri
    05 Maj 2021 | 13:27

    Pas Qeverisë së Kosovës, është deklaruar edhe Presidenca rreth kërkesës së Organizatave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët një ditë më parë kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të ofrojnë garanci për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë duke u gjykuar dhe po mbahen në paraburgim në Hagë.


    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në një deklaratë për Telegrafin tha se çështja e garancës është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara.

    “Çështja e garancës është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. E njëjta është themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës si dhe vepron në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Kupina.

    Lidhur me këtë çështje për Reporterin janë deklaruar sot edhe nga Qeveria e Kosovës.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Kosova nuk mund të shërbejë si garantues për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, ngase garancia nuk kërkohet as nga shteti amë, në këtë rast Kosova, e as nga kryeministri i shtetit amë nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion.

    “Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen “shtete të treta” të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por Kosova nuk është “shtet i tretë”, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës. Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për Reporterin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!