×
  • Lajme
  • Lajme

    U kritikua se nuk përmend SHBA-në, por Qeveria Kurti në program parasheh koordinim të ngushtë me amerikanët për dialogun me Serbinë

    Reporteri
    10 Maj 2021 | 18:57

    Autor: Mirlind Behluli


    Në adresë të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti pati kritika për mos përmendjen e SHBA-së në planprogramin qeverisës. Ish-koordinatori i Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, tha se Kurti nuk e përmend askund SHBA-në në programin e Qeverisë.


    Duke cituar gabimisht ish-programin qeveritar (2020-2023) të koalicionit VV-LDK, Hyseni tha se aty rënditen një varg “dëshirash” dhe se Qeveria ka hequr dorë partneriteti strategjik me Amerikën.

    “S’dyti. dhe më shqetësuesja në program qeverisës është heqja dorë e Qeverisë së Kosovës nga partneriteti i veçantë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më tepër SHBA-të nuk përmenden askund ne këtë program, ndërkohë që renditen një varg ‘dëshirash’ për antarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe avancimin e bashkëpunimit të saj me NATO-n. Pyetja logjike është me cilin partner strategjik do të bashërendohen dhe koordinohen këto përpjekje?!!!”, shkroi ndër të tjera Hyseni në Facebook.

    Por në draft-programin e siguruar nga Gazeta Online “Reporteri.net”, në programin e Qeverisë së Kosovës thuhet se kjo e fundit e sheh si të rëndësishme koordinimin e ngushtë me Amerikën.

    Në pjesën e programit (pika 2.18.5) të hartuar ku flitet për dialogun me Serbinë, Qeveria Kurti II thotë se krahas BE-së, synojnë bashkëpunim me ShBA-në.

    “Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishme edhe koordinimin e ngushtë me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në draft-programin e Qeverisë Kurti II, shkruan Reporteri.net.

    Aty tutje thuhet se Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialog bazuar në përgatitje të mirëfilltë e me parime të qarta me synim për të arritur një normalizim afatgjatë në marrëdhëniet me Serbinë.

    Kujtojmë që javën që shkoi Qeveria Kurti miratoi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme që pritet të votohet së shpejti në Kuvend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!