×
  • Lajme
  • Lajme

    Haki Rugova thotë në Gjykatë se aksidentalisht nënshkroi kontratën për dhënien e tenderit vëllait të tij

    Reporteri
    29 Maj 2021 | 8:04

    I pari i Komunës së Istogut, Haki Rugova në mbrojtjen e tij të dhënë para trupit gjykues të Gjykatës së Pejës ka pranuar se kishte nënshkruar kontratën për dhënien e tenderit kompanisë së vëllait të tij Gani Rugova.


    Mirëpo, sipas tij ky nënshkrim ishte bërë aksidentalisht pasi kjo kontratë i ishte dërguar për nënshkrim me shumë dokumente tjera.

    Rugova akuzohet nga Prokuroria se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 e ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro.

    “Kryetari i komunës nuk merret me prokurim. Ajo kontratë si zakonisht kryetari Komunës i është sjell në mesin e shumë dokumenteve dhe kontratave që duhet nënshkruar, dhe unë e kam një praktikë që vendosi nënshkrimin pas nënshkrimit të një zyrtari që është kompetent për atë çështje, e kur vjen nga zyra ligjore as nuk e lexoj por e nënshkruaj”, tha i akuzuari Rugova.

    Sipas Rugovës për disa kontrata të prokurimit nuk është nevojshme nënshkrimi i tij si kryetar i Komunës mirëpo këtë e bënë menaxherja e prokurimit, Zize Bujupaj.

    Mbrojtësi i të pandehurit Rugova, avokati Besnik Berisha ia lexoi deklaratën e menaxheres së prokurimit, Zize Bujupaj e cila kishte thënë se kontratën e tenderit aksidentalisht e kishte nënshkruar Kryetari Rugova.

    “Zize Bujupaj në këtë gjykatë ka deklaruar për aktivitetin e prokurimit që është objekt i akuzës dhe ka deklaruar se ju nuk keni marrë pjesë në asnjë aktivitet për këtë kontratë dhe aksidentalisht të është dërguar për nënshkrim”, pyeti në mënyre të tërthortë avokati Berisha.

    “Po e saktë”, tha i akuzuari Rugova.

    Rugova shtoi se nuk kishte marrë pjesë në asnjë formë në procedurat e prokurimit në të cilën tenderin e kishte fituar vëllai i tij, mirëpo aksidentalisht kishte nënshkruar kontratën për dhënien e tenderit.

    “Natyrisht që nuk kam marrë pjesë, ngase ligjërisht nuk kam të drejtë, janë komisionet e veçanta që e rekomandojnë zyrën e prokurimit kush është apo cili operator është i favorshëm për këtë dhe i plotëson kriteret”, tha Rugova.

    Kur mbrojtja e të pandehurit përfundoi me pyetjet ndaj të pandehurit Rugova, ky i fundit në konsultim me mbrojtësin e tij, vendosi të mos deklarohet në pyetjet e prokurorit Ali Uka.

    Prokurori Ali Uka e konsideroi të padrejtë vendimin e Rugovës që të mbrohet në heshtje në kohën kur ishte radha ti përgjigjet prokurorit të çështjes.

    Lidhur më këtë avokati Berisha tha se ishte e drejtë e të pandehurit që në çdo fazë të mbrohet në heshtje.

    Ndryshe, pasi rasti ishte kthyer rishtas pas ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues, Sykë Lokaj, i cili ishte pensionuar, ishin të pranishëm për dhënien e dëshmisë dëshmitarët Zize Bujupaj, Sylë Maksutaj, Rrustem Gashi, Gani Rugova dhe përfaqësuesi i Komunës së Istogut Adem Avdijaj.

    Mirëpo dëshmitë e tyre nuk u dëgjuan pasi gjykata aprovoi propozimin e prokurorit Uka dhe pëlqimin e mbrojtjes të pandehurit, që deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin e kaluar të lexohen.

    Ndërsa në raport me leximin e deklaratës së dëshmitarit Gani Rugova, gjykata mori vendim të liroi nga dëshmia këtë dëshmitar, pasi i njëjti e kishte vëlla të pandehurin Rugova dhe rezervoi të mos deklarohet.

    Në këtë seancë u administruan të gjitha provat materiale dhe personale që përbënin lëndën e çështjes penale.

    Avokati Berisha bëri vërejtje pasi sipas tij në procedurën hetimore, kur ishin dëgjuar dëshmitarët e Prokurorisë, nuk ishte ftuar i pandehuri dhe as mbrojta për ti parashtruar pyetje.

    Përveç kësaj, Berisha parashtroi se vërejtje në pyetjet e parashtruara nga prokuroria në hetime ndaj të mbrojturit të tij dhe se deklarata e tij ishte marrë në shkelje procedurale pasi nuk ishte njoftuar që i pandehuri të ketë mbrojtës.

    Berisha propozoi që këto deklarata të mos merren parasysh gjatë vlerësimit të provave nga trupit gjykues.

    Në anën tjetër, prokurori Uka theksoi se çdo prove ishte marrë në mbështetje procedurale, pasi sipas tij, mbrojtja për veprën e konfliktit të interesit nuk ishte e nevojshme.

    “I përkrahi të gjitha këto prova që janë propozuar për tu administruar dhe nuk kemi vërejtje në ndonjërën prej tyre dhe nuk është e nevojshme ti caktohet mbrojtësi në fazën e hetimeve sepse mbrojtja nuk është e detyrueshme”, tha prokurori Uka.

    Ndryshe, me propozimin e prokurori Uka, seanca për dhënien e fjalës përfundimtare u shty për datën 31 maj 2021, ora 15:00.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

    Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

    Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

    Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

    Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

    “Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

    Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut. /BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!