Aksioni i sotëm i policisë së Kosovë në veri të Mitrovicës ka qenë në fokus edhe të mediave botërore.
Agjencia italiane e lajmeve Ansa ka shkruar se sot në veri të Kosovës, të banuar kryesisht nga popullsia serbe, njësia speciale Rosu ka arrestuar 13 pjesëtarë serbë të policisë së Kosovës, çka siç shkruan agjencia italiane ka ngritur tensionet ndëretnike në vend, transmeton Reporteri.net.
Ndërkohë agjencia ruse e lajmeve Tass shkruan se aksioni i policisë së Kosovës në veri ka nxitur frikë tek serbët e veriut.Kjo agjenci shton se me urdhër të Vuçiqit forcat e armatosura të Serbisë janë vënë në gjendje gatishmërie për shkak të tensionimit të situatës.
Ndërkohë agjencia britanike e lajmeve Associated Press po ashtu shton se Serbia ka urdhëruar trupat e saj ushtarake që të jenë në gatishmëri të plotë pas raportimeve për aksionin e policisë së Kosovës në Veri. Aty citohet edhe deklarata e drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili ka thënë se ky aksion është kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë.
Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë një aksion të gjerë në nivel vendi, të përqendruar në veri të Kosovës, ku ka arrestuar dhjetëra serbë të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë. /Reporteri.net