Gazetarë e artistë nga Kosova janë ndaluar sot në kufi me Serbinë.
Ata po planifikonin të merrnin pjesë në festivalin që mbahet çdo vit në Serbi, “Mirëdita, Dobar Dan”.
Reporteri.net raportoi se ndaj tyre po bëhej kontroll i detajuar për të verifikuar nëse mbajnë me vete flamuj, apo diçka tjetër që simbolizon shtetin e Kosovës.
Ndaj kësaj ka reaguar kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Twitter.
Sipas Pacollit, është i njëjti mentalitet i serbëve si në vitet e 90-ta.
“Dënoj ashpër sjelljen e policisë kufitare serbe ndaj pjesëmarrësve nga Kosova për “Mirëdita, Dobar dan”, aktivitet ky që kërkon pajtimin mes dy vendeve. Është i njëjti mentalitet dhe sjellje e policisë serbe si në vitet e 90-ta”, ka shkruar Pacolli në Twitter.
Kujtojmë, se edhe vitin e kaluar artistë nga Kosova ishin ndaluar në kufi, dhe nuk ishin lënë të marrin pjesë në të njëjtin festival, synimi i të cilit është të bashkojë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë/ Reporteri.net