×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryediplomatja suedeze vizitë dy-ditore në Kosovë, do të diskutohet edhe për dialogun

    Reporteri
    07 Korrik 2021 | 16:38

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, njëherësh kryesuesja e radhës e OSBE-së, Ann Linde, do ta vizitojë Kosovën me 7 dhe 8 korrik.


    Ndër të tjera gjatë takimeve të planifikuara ajo do të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

    Ajo udhëton së bashku me Ndihmëssekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Zëvendësdrejtoren ekzekutive të UN Women, Åsa Regnér, me ç’rast fokus kryesor i vizitës do të jetë agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria.”

    Lajmi është bërë e ditur përmes një komunikate për medie.

    Ministrja Linde do të takohen me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryediplomaten Donika Gërvalla-Schwarz.

    Temat e tjera të vizitës janë zbatimi i reformave strategjike të Kosovës, përpjekjet anti-korrupsion, zgjedhjet lokale, integrimi gjyqësor, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave që i përkasin komuniteteve si dhe tejkalimi i pandemisë.

    Ministrja gjithashtu do të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe rolin e OSBE-së në të.

    Kryesuesja do të takohet edhe me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakić. Linde dhe Regnér do ta takohen edhe me stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë si dhe do të vizitojnë projektet në terren.

    Një takim i nivelit të lartë do të organizohet me organizatat që mbështesin të drejtat e grave dhe organizatat e shoqërisë civile për të diskutuar dhe shkëmbyer qasjet për avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë në Kosovë.

    Barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes gjatë viteve të fundit do të jenë gjithashtu në rend të ditës, duke reflektuar mbi strategjitë e suksesshme për përfshirjen dhe fuqizimin e grave, si dhe mbështetjen e grave të reja në punën për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve, drejtësinë tranzicionale si dhe arritjen e potencialit të grave në ndërtim të mirëbesimit.

    Më 8 korrik, në ora 13:40, pas takimit në Bibliotekën Universitare të Kosovës, Linde dhe Regnér do të flasin para mediave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!