×
  • Lajme
  • Lajme

    Sindikata e arsimit u bën thirrje mësimdhënësve të vaksinohen

    Reporteri
    24 Korrik 2021 | 23:36

    Mësimdhënësit ishin trajtuar nga Ministria e Shëndetësisë si kategori me prioritet për vaksinim, në mënyrë që të mos ketë pengesa në procesin mësimor, por deri më tani vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar, derisa numri i përgjithshëm i personelit arsimor në nivel vendi është 24 mijë e 370.


    Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës e Teknologjisë u kanë bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit që të marrin vaksinat anti-COVID.

    Ymer Ymeri nga SBASHK-u, ka thënë se është shqetësues fakti se vetëm një numër i vogël i personelit arsimor janë imunizuar.

    “Edhe për neve si SBASHK është shqetësues ky vaksinim i vogël i punëtorëve arsimor, për shkak se është krijuar mundësia që të gjithë të vaksinohen, edhe mos-vaksinimi mund të shkaktojë mos-fillimin e procesit mësimor në shkolla pa kufizime”, tha Ymeri për RTV 21.

    Prandaj, ai tha se u bëjnë apel mësimdhënësve që të vaksinohen.

    “Ju bëjmë apel të gjithë punëtorëve arsimor, por në veçanti mësimdhënësve të vaksinohen, për shkak se ka kohë të merret edhe doza e parë edhe e dyta para se të fillojë viti shkollor”, u shpreh Ymeri.

    Ndryshe, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se tashmë kanë hartuar draft kalendarin për fillimin e vitit të ri shkollor, duke shtuar se këtë vit do të përdoren tekstet alternative.

    Këto deklarata, Pupovci i bëri gjatë një adresimi për media.

    “Regjistrimi i nxënësve në shkolla të dhjeta ka përfunduar dhe afati i dytë mbyllet me 23 gusht. Qeveria ka ndarë buxhetin për tekste shkollore. Në këtë vit do të përdoren tekste alternative. Gjithashtu do të shpallet lista e teksteve shkollore. Testi i arritshëmërisë në Kamenicë do të mbahet me 3 gusht”, u shpreh Pupovci.

    Pupovci gjithashtu tha se pret që të gjithë mësimdhënësit të vaksinohen.

    “Nuk ekziston ligj që e obligon dikë të vaksinohet. Ftoj mësimdhënësit të vaksinohen në mënyrë që të bëjnë të mundur fillimin e vitit të ri shkollor”.

    Ai ka sqaruar se ka filluar aplikimi për studimet bachelor dhe master, teksa ka paralajmëruar lehtësime për studimet e doktoratës.

    Thirrje për vaksinim në vazhdimësi është duke bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!