Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për anëtarësimin më të ri në LVV të ish-deputetes Murtezi, e cila në legjislaturën e kaluar ishte deputete në Partinë e Drejtësisë së Ferid Aganit, shkruan Reporteri.net
Kurti ka deklaruar se Labinotë Demi-Murtezi me profesion letrare dhe albanologe ka përfunduar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës.
Kryetari i Vetëvendosjes ka vlerësuar aktivizmin qytetar e politik të ish-deputetes Murtezi.
“Vazhdimisht është kyçur në jetën publike, me aktivitete kulturore e shkollore si nxënëse, me ç’rast ka qenë edhe kryetare e të gjitha shkollave të mesme të qytetit. Pastaj, si studente ka qenë aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave”
Albin Kurti ka shkruar se Labinotë Demi-Murtezi dëshiron të kontribuojë për daljen nga kriza e shtetit dhe për ndryshimet progresiste të cilat i sheh të mundshme vetëm me Vetëvendosjen e të domosdoshme për Kosovën.