×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër udhëtime zyrtare të Kabinetit të Vjosa Osmanit, shpenzuan gati 15 mijë euro për akomodim, bileta e ushqim

    Reporteri
    03 Gusht 2021 | 17:15

    Autor: Besfort Veseli


    Në prill të vitit 2021, Vjosa Osmani, u votua në Kuvendin e Kosovës si presidente e vendit. E që nga dita kur ajo e mori këtë pozitë, shefja e shtetit në katër vizitat e saj zyrtare jashtë vendit tonë, harxhoi plotë 3 mijë e 397 euro e 95 cent, për bileta, akomodim dhe ushqim.


    Gazeta Online “Reporteri.net”, shkroi të hënën se e para e shtetit ka shpenzuar para nga buxheti i Kosovës edhe për dreka, darka, koktej e karburante.

    Por, krahas Osmanit, stafi i saj në Presidencë, në këto katër vizitat e përbashkëta jashtë vendit, harxhuan rreth 15 mijë euro në total.

    Saktësisht 14 mijë e 686 euro, stafi i Presidentes Osmani i harxhoi në udhëtimet zyrtare në Slloveni, Estoni, Austri dhe Turqi.

    Nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, “Reporteri.net” ka arritur të ketë qasje në faturat e kabinetit të komandantes supreme.

    Bazuar në këto të dhëna, shpenzuesi më i madh i buxhetit të vendit nga stafi i Osmanit është Arban Osmani, i cili kryen rolin e zyrtarit për media në Kabinetin e Presidentes.

    Shpenzimet e Arban Osmanit gjatë vizitës në Slloveni
    Shpenzimet e Arban Osmanit gjatë vizitës në Estoni
    Shpenzimet e Arban Osmanit gjatë vizitës në Turqi
    Shpenzimet e Arban Osmanit gjatë vizitës në Austri

    Në katër vizitat e tij jashtë shtetit, ai harxhoi 5 mijë e 281 euro, apo mesatarisht 1 mijë e 320 euro për secilën vizitë të tij zyrtare.

    Osmani madje harxhoi më shume se edhe shefi i Presidencës, Blerim Vela.

    Shefi i Kabinetit të Osmanit harxhoi 1 mijë e 384 euro për bileta, ushqim dhe akomodim, në dy vizitat zyrtare që i pati në Slloveni dhe Turqi, më 16-18 maj dhe respektivisht 16-21 qershor, shkruan “Reporteri.net”.

    Gati dyfish më shumë se Vela, kanë harxhuar zëvendës-shefi i tij, Artan Murati dhe këshilltarja e presidentes Osmani, Learta Hollaj.

    Kjo e fundit, në vizitat që i zhvilloi në Slloveni, Austri dhe Turqi, bëri që buxhetit të Kosovës t’i shpenzohen plotë 2 mijë e 506 euro.

    Ndërkaq, dyshi i Kabinetit të Presidentes, Artan Murati, shpenzoi 2 mijë e 163 euro në vizitat në Austri dhe Estoni.

    Ndonëse e pati vetëm një vizitë në Austri, gjatë periudhës 21-24 Qershor, këshilltare e Presidentes, Donjeta Miftari, i harxhoi 1 mijë e 7 euro, apo mesatarisht 251 euro për çdo ditë.

    Më pak udhëtime zyrtare patën këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina dhe këshilltarja e Osmanit, Egnesa Vitia.

    Të dy udhëtuan në Estoni dhe veç e veç shpenzuan nga 868 euro.

    Nga dokumentet mësohet se më së paku shpenzime në 120 ditët e para të Osmanit si shefe e shtetit ka Vehbi Murati, këshilltari në Kabinetin të shefes së shtetit.

    Murati qëndroi vetëm në Austri, ku i shpenzoi 609 euro për akomodim, bileta dhe ushqim në këtë udhëtim zyrtar.

    Në dokumentin e shpenzimeve të Osmanit thuhet se janë zhvilluar deri më tani 5 aktivitete (dreka, darka dhe koktej), duke bërë që buxhetit të Kosovës t’i harxhohen 1 mijë e 587 euro.

    Po ashtu, është bërë e ditur se 500 euro ka kushtuar shfrytëzimi i amfiteatrit të Gërmisë në rastin e ceremonies së Lojërave Olimpike. Pra, në total janë shpenzuar 2 mijë e 187 euro për kësi lloj harxhimesh.

    Shpenzimet tjera të kabinetit të Presidentes Osmani

    Krejt në fund, i tërë kabineti i Presidentes Osmani për 120 ditë, duke filluar nga 4 prilli deri më tani, ka shpenzuar 1 mijë e 123 euro e 82 cent për derivate apo 1 mijë e 96 litra në veturat zyrtare.

    Shpenzimet
    Shpenzimet e kabinetit të presidentes Osmani për derivate

    Me 71 vota për, kuvendi më 4 prill të këtij viti, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!