Talebanët kanë vrarë një anëtar të familjes së një prej reporterëve të Deutsche Welle në Afganistan dhe kanë plagosur rëndë një tjetër.
Lajmin e ka bërë të ditur transmetuesi publik gjerman, Deutsche Welle në një deklaratë ditën e sotme.
Mësohet se, luftëtarët talebanë po kërkonin reporterin e Deutsche Welle në disa shtëpi në Afganistanin perëndimor. Raportohet se anëtarët e tjerë të familjes arritën të shpëtojnë.
Gazetari, identiteti i të cilit nuk u zbulua, tashmë është vendosur në Gjermani, ku po punon. Deutsche Welle nuk dha detaje të mëtejshme mbi anëtarët e familjes të vrarë dhe të plagosur apo se ku dhe kur saktësisht në Afganistan ndodhi vrasja.
Drejtori i Deutsche Welle, Peter Limbourg ka thënë: “Vrasja e një anëtari të ngushtë të familjes së një prej gazetarëve tanë nga talebanët është jashtëzakonisht tragjike dhe një dëshmi për rrezikun ndaj të cilit janë të ekspozuar që të gjithë punonjësit tanë dhe familjet e tyre në Afganistan.
Talebanët padyshim po kryejnë kërkime të organizuara për gazetarët në Kabul dhe provinca. Koha po mbaron.”
Limbourg shtoi se shtëpitë e të paktën tre gazetarëve të tjerë të Deutsche Welle u kontrolluan nga talebanët në Afganistan ditët dhe javët e fundit.