Situata me virusin SARS CoV-2 në Kosovë është rënduar shumë ditëve të fundit.
Në baza ditore po konfirmohen mijëra raste të reja pozitive me coronavirus dhe një numër i lartë i rasteve të vdekjes, shkruan Reporteri.net.
Vetëm ditën e enjte, në Kosovë janë regjistruar tetë viktima nga COVID-19, teksa janë konfirmuar 2 mijë e 236 raste të reja pozitive, duke thyer kështu çdo rekord të infektimeve që nga marsi i 2020-tës kur edhe u shfaqën dy rastet e para të të infektuarve me virusin corona.
Në total numri i rasteve aktive me coronavirus ka shkuar në 14 mijë e 249.
Në fund të muajit mars ka filluar edhe procesi i vaksinimit, ku deri më tash në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 644 mijë e 212 doza të vaksinës.
Nga ta, 221 mijë e 26 janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ndryshe, si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar masat e reja anti-COVID, që do të hyjnë në fuqi që nga sot.
Sipas masave të reja, MSH njofton se do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen dasmat dhe ahengjet tjera familjare.
Me masat e reja po ashtu ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.
Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë gjithë kohës.
Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.
Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet.
Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2. /Reporteri.net