Një vajzë ecën duke kërcyer pasi ka mbërritur në aeroportin ushtarak të Meslbroek në Belgjikë nga një fluturim direkt i nisur nga Kabuli; është ky imazhi i ditës që tregon lumturinë e familjeve që arrijnë të arratisen nga ferri i Kabulit dhe sigurojnë një jetë më të sigurt dhe më të mirë në perëndim.
Më shumë se 100 mijë njerëz janë evakuuar nga Afganistani që prej 14 gushtit, kur rebelët talebanë pushtuan vendin. Një numër gjithnjë dhe më i madh shtetesh që ishin angazhuar në evakuimin e njerëzve kanë filluar largimin nga vendi, veçanërisht pas sulmeve terroriste të ditës së djeshme që vrau 90 vetë dhe plagosi 150 të tjerë.
Deri tani më shumë se 500 mijë afganë janë alokuar në Europë, ndërkohë që 1.450.000 janë arratisur drejt Pakistanit. Pjesa më e madhe e tyre kanë bashkëpunuar me autoritetet perëndimore përgjatë 20 viteve të pushtimit dhe u rrezikohet jeta nëse qëndrojnë në vend nën regjimin taleban. Shumica dërrmuese e tyre do të qëndrojnë përkohësisht në Europë dhe në shtetet arabe fqinje deri në marrjen e vizës amerikane, por Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë njoftuar se do të pranojnë disa mijëra afganë për t’u dhënë azil politik dhe më pas lejë qëndrimi të përhershme dhe nënshtetësi.