×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqiptarët rrisin numrat me COVID-19, gazeta zvicerane u drejtohet shqip: Ju lutem vaksinohuni!

    Reporteri
    28 Gusht 2021 | 12:32

    Gazeta e njohur zvicerane “Blick” në ballinën e saj në gazetën e shtypur shkroi edhe disa fjalë shqip.


    Arsyeja është thirrja për vaksinimin e komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër, për të cilin po raporton se ndikoi në rritjen e numrit të infeksioneve me COVID-19, njofton Klan Kosova.

    “Ju lutem vaksinohuni!”, iu drejtua gazeta shqiptarëve.

    Numri i pacientëve të shtrirë në spital në Zvicër është rritur me shpejtësi kohëve të fundit, sipas Patrick Mathys, menaxher i krizave në Zyrën Federale të Shëndetit Publik. Në një konferencë për media ai ka thënë se numri i pacientëve më koronavirus në spital ishte 30 herë më shumë që nga korriku. Sipas statistikave, të mërkurën mbi 26 përqind e të gjithë shtretërve të kujdesit intensiv ishin zënë nga pacientët me COVID-19, të cilët janë dukshëm më të rinj në moshë krahasuar me valën e parë.

    Spitalet janë të shqetësuar sidomos për udhëtarët që po kthehen nga pushimet. Javën e kaluar, zëdhënësi i spitalit të kantonit St. Gallen tha për Blick se shumica e pacientëve nuk janë të vaksinuar dhe janë të kthyer nga pushimet.

    Sipas statistikave, më shumë se një e treta e të shtruarve në spital kanë treguar se për pushime kanë qëndruar në një vend të Europës Juglindore në kohën kur e kanë marrë infeksionin, kryesisht në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut.

    Lars Haefner, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, nuk është shumë i befasuar për këtë.

    “Numri i infeksioneve është shumë më i madh në Kosovë, për shembull. Fatkeqësisht, rregullat e higjienës dhe distancës nuk respektohen rreptësisht atje”, ka thënë ai për Blick.

    Gazeta zvicerane duke cituar të dhënat e OBSH-së thotë se në vendet ballkanike përqindja e të vaksinuarve është shumë më e ulët dhe se mungon gatishmëria nga qytetarët.

    Sipas Haefner, shqiptarët derisa ishin në pushime nuk lexuan mediat e Zvicrës dhe e patën të vështirë të dinin për procesin e vaksinimit në Zvicër. Ai gjithashtu tha se shtypi shqiptar bën thirrje për vaksinim, por zor që ndihmon në ata të Zvicrës.

    Shpërndaje në:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!