Ne seancën maratonë të Kuvendit të Shqipërisë kryeministri Edi Rama ka bërë prezantimin e planit qeverisës të qeverisë së tij në mandatin e tretë qeverisës.
Një ndër pikat që ai përmendi është zhdukja e përdorimit nga tregu e qeseve plastike.
Kreu i qeverisë në fjalën e tij është shprehur se duke filluar nga 1 qershori i vitit të ardhshëm nuk do të lejohet më përdorimi i qeseve plastike, dhe fabrikat që prodhojnë kanë 9 muaj kohë që të marrin masa pasi nuk do të ketë tolerim.
“Qershorin e viti tjetër do të hyjë në fuqi ndalimi i përdorimit të qeseve plastike që janë kthyer në një mankth. Prodhimi dhe shitja e tyre do të sanksionohet me zero tolerancë, nuk jemi të parët që e bëjmë por duhet të jemi të parët që duhet ta kishim bërë. Mesazhi im për industrinë që prodhon qese plastike me përdorim të tyre mos lëshoni asnjë lëshim pasi nuk do të ketë, 1 qershori i ardhshëm dita e fëmijëve do të jetë dhe dita e çlirimit të fëmijëve. Shqipëria nuk është një vend i pastër por nuk mund të jetë një vend i papastër. Investimet në turizëm do të hyjnë në një fazë të rëndësishme duke filluar me 4 porte të mëdha, në Vlorë, në Sarandë, në Durrës dhe në Shëngjin ku jemi më pas me punën se te tre të parët”, ka thënë ai.