×
  • Lajme
  • Lajme

    Shkollat dhe çerdhet fillojnë punën

    Reporteri
    27 Shtator 2021 | 7:20

    Sot do të fillojë procesi mësimor në shkolla dhe çerdhe, ku 20 do të jetë maksimumi i nxënësve të lejuar në klasë.


    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se 95% e mësuesve janë vaksinuar, derisa 65% kanë marrë dhe dozën e dytë.

    “Vaksinimi, respektimi i masave si dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet përfshirë edhe prindërit, do të na mundësojë një vit të suksesshëm shkollor”, shkroi Nagavci.

    Postimi i plotë i saj:

    Nesër fillon viti i ri shkollor.

    Gjatë gjithë kësaj kohe, kam vizituar shumë shkolla dhe kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtues shkollash, mësues e prindër. Ndonëse situata me pandeminë na ka sjellë në një gjendje të vështirë e me shumë sfida, janë bërë përgatitjet e duhura për të filluar vitin e ri shkollor.

    Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar. Më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat.

    Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues. Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduara nga profesionistët shëndetësor.

    Kjo është mënyra më e mirë për të vënë pandeminë nën kontroll, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik.

    Mësuesit e drejtuesit e shkollave kanë shumë punë e përgjegjësi, por jam e bindur se angazhimi dhe kujdesi i tyre nuk do të mungojë. Vaksinimi, respektimi i masave si dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet përfshirë edhe prindërit, do të na mundësojë një vit të suksesshëm shkollor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!