Trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë gati për të intervenuar në Veri të Kosovës, aty ku prej një jave ka mbetur gjithçka e bllokuar pas aksionit të policisë për reciprocitetin e targave në dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak.
Albanian Post mëson se ndërhyrja e KFOR-it pritet që të bëhet në orët e vona të pasdites, gjatë kësaj të hëne.
KFOR, siç kupton AP, është përgatitur tashmë dhe vetëm pritet drita e gjelbër nga baza e NATO-s në Napoli të Italisë.
Deri te një pajtim i përgjithshëm për të ndërhyrë KFOR-i në Veri ka ardhur pasi Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Në këto biseda është arritur një marrëveshje për de-eskalim të situatës më futjen e trupave paqeruajtëse të aleancës në Veri.
Edhe ultimatumi që Vuçiç në një intervistë në televizionin serb “Pink” e dha të dielën në mbrëmje, ku tha se pret 24 orë që NATO të bëjë diçka dhe nëse nuk intervenon aleanca-veri-atlantike, atëherë Serbia reagon vetë, ishte pjesë e këtij skenari.
Pasi KFOR të marrë kontrollin në dy pikat kufitare në Veri, do të ndodhë largimi i Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës dhe zhbllokimi i rrugëve nga protestuesit serbë.
Edhe Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të shtunën e kaluar, deklaroi se veprimet ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën, janë njëfarë përgjigje për ndërkombëtaret, meqë janë ata që po kërkojnë ulje tensionesh dhe mos-veprime të njëanshme dhe Serbia prapëseprapë po e bën.
Pas normalizimit të situatës palët do kthehen në Bruksel për të negociuar, mirëpo ende është e paqartë nëse reciprociteti për targat do të vazhdojë, apo do kthehet situata e mëparshme.
Çfarë ndodhi në Veri?
Në orët e para të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u nisën për në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht më Jarinje e Bërnjak, për t’i dal n ë ndihmë Policisë Kufitare të cilët ishin urdhëruar nga Qeveria e Kosovës për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Kosova në Serbi.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarë serb të revoltuar nga këto masa të cilat po i aplikonte Kosova ndaj tyre, bllokuan të gjitha rrugët të cilat të qojnë në këto dy pika kufitare.
Përveç prezencës së tyre fizike, me dhjetëra, rrugët u bllokuan edhe me kamionë.
Pas 24 orëve të para të aksionit, protestuesit ngrenë edhe tenda për të kaluar natën afër pikave kufitare ku i kishin bllokuar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla doli në konferencë dhe tregoi se po zbatonin një marrëveshje reciprociteti me shtetin serb.
Një marrëveshje e arritur me dy korrik të vitit 2011 mes Kosovës e Serbisë për Lëvizjen e Lirë thoshte se dy palët kanë gjetur pajtim që ta zgjidhin çështjen e lëvizje bazuar në reciprocitet.
Pika e gjashtëmbëdhjetë e marrëveshjes, parashihte që edhe Kosova ka të drejtë të përdorë targa të përkohshme për veturat që në vend futen me targa serbe, derisa nuk arrihet një pajtim përfundimtar.
Goran Rakiq, udhëheqës i Listës Serbe dhe Ministër për Komunitete dhe Kthim, kishte dalur në vendin e ngjarjes ku po qëndronte Njësia Speciale e Kosovës në Veri dhe kërkoi nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ndërmarrë diçka duke shtuar se aksioni është kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë mbledhur të përmbahen, dhe gjithashtu Prishtinës të mos ngrejë tensione. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit, të cilët janë të shqetësuar se si të sigurojnë bukë për fëmijët e tyre”, tha Rakiç.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç përveç deklarimeve publike për tërheqje të forcave të sigurisë nga pikat kufitare, mblodhi edhe Këshillin e Sigurimit për të diskutuar për këtë çështje.
Deklaratat e tij filluan të kalojnë në kërcënime.
Duke thënë se masat që tash do t’i ndërmerr Serbia do të jenë të dhimbshme për palën tjetër – Kosovën. Serbia do të përgjigjet me masa të saj”, të cilat do t’i shkaktojnë “dhimbje palës tjetër”.
“Nesër do të flasim për masat tona, do të jenë të dhimbshme, sidomos në planin ekonomik. Shpresoj të mos jetë e nevojshme të marrim këto masa”, kishte thënë Vuçiç, një ditë pas fillimit të zbatimit të këtyre masave të reciprocitetit për tabelat e automjeteve.
Në ditët në vazhdim pati tendenca të vazhdueshme nga pala serbe që situata të eskalojë.
Përveç zyrtarëve policorë të cilët sulmoheshin sa herë kalonin turmën e protestueseve, kur bëhej ndërrimi i tyre, pala serbe filloi të shtrëngoj masat në kufi, nga ana e vet, duke dërgua forcat ushtarake të veta.
Më pas tre helikopterë serb u panë duke fluturuar mbi qiellin e Kosovës, afër kufirit në Jarinje.
Por që pala kosovare nuk i’u përgjigj këtyre provokimeve. /albanianpost/.