×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli thumbon opozitën: Vetëvendosje anarkiste, LDK e përçarë

    Reporteri
    09 Qershor 2019 | 17:39

    Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thumbuar jo pak dy partitë opozitare LDK-në e Vetëvendosjen të cilat kanë lënë pas armiqësitë dhe kanë nisur një bashkëpunim të përbashkët për ta rrëzuar koalicionin aktual nga pushteti.


    Për Veselin, Vetëvendosje që drejtohet nga Albin Kurti është lëvizje anarkiste, ndërsa LDK-ja e Isa Mustafës parti e përçarë që nuk e di rrugën e vet.

    Kreu i PDK-së pohon se mentaliteti i opozitës aktuale është i çoroditur, bllokues e urrejtës dhe sipas tij këto dy parti do të humbin prapë.

    “Shkoni pyetni opozitën e lodhtë dhe thuaju dorëzone mocionin, mos i manipuloni qytetarët dhe vendosne besimin a mund të jetë apo nuk mund të jetë për këtë qeverisje. Por instalimi i logjikës së bojkotit në një vend demokratik ku gjithmonë do të ketë pozitë dhe opozitë është shembulli më i keq që i bëhet vendit, të cilën është duke e bërë Lidhja Demokratike e Kosovës, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje që është kështu është e çakorduar, thjesht ajo është lëvizje anarkiste, ajo e sheh gjysmën e gotës të mbushur, thotë pse nuk është mbushur gjysma e gotës, e sheh gotën drejtë thotë pse nuk është mbrapsht. Si të sheh një formë ajo e ka veç antipodin. Shiko liderin e tyre, është teksti preteksi konteksti, teza, sinteza, antiteza, vetëm këto i ka. Ose një LDK e cila nuk e di rrugën e vet, e përçarë brenda duke u munduar me nejt bashkë se i mund PDK, po qytetarët kanë me i mujt, se po i mund PDK. Edhe 10 vjet të tjera PDK ka vizion, ka qëllim të qartë për qytetarët”, ka thënë Veseli në një intervistë për Kosovapress, shkruan Reporteri.net.

    Ai e pranon se kualicioni aktual ballafaqohet me vështirësi, por thotë se as opozita nuk është më e mirë.,

    “Koalicioni nuk është gjithçka, nuk është perfekti, nuk është më i miri, ka vështirësitë e veta, por opozita është shumë e çoroditur, është një opozitë shumë e dobët, e cila nuk ka kauzë, e cila nuk ka vizion, ka bojkot, e cila mundohet në çdo segment manipulativ për të manipuluar. Në shumë raste harron edhe vetën ku ka qenë, mundohet të krijojë vetëm skena përmes së cilave përfiton në mënyrë elektorale, nuk është kjo që ka me kriju premisa që ata të jenë të suksesshëm, as në opozitë edhe 10 vjet nëse qëndrojnë”, thotë ai.

    Veseli thotë se i vjen keq për këtë opozitë e cila sipas tij nuk do të ketë sukses në këtë formë.

    “E lodhtë opozita, e lodhtë, mocioni është dashur ta sjell shumë moti, ka nevojë pozita, ne kemi nevojë të ballafaqohemi me mocionin e opozitës, ne kemi nevojë ta dimë ku jemi, nuk e kemi me tapi askush, me tapi e kanë vetëm qytetarët e vendit tonë. Shumë inate, shumë manipulativ (opozita)më vjen keq për këtë opozitë, e cila nuk ka me pas sukses  në këtë formë”, thotë ai.

    Kreu i PDK-së ndërkaq thotë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt që votohet nga qytetarët e Kosovës, veçse thekson se nuk i bëjmë përshtypje, siç i quan ai, kokorratjet e atyre që mundohen të fitojnë vota duke folur kundër PDK-së, e pastaj shikojnë për bashkëpunim me po këtë parti.

    Veseli thotë se partneritet kanë vetëm me qytetarët, por e respektojnë secilën parti dhe nuk kanë urrejtje ndaj askujt.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!