Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Serbinë për refuzimin që ia ka bërë një propozimi të KFOR-it për shtensionimin e situatës në veri.
Kurti në një konferencë për media bashkë me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, ka thënë se, sipas këtij propozimi, Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak e Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte.
Kurti, ka thënë se Kosova e ka pranuar këtë ofertë, por se ajo është refuzuar nga Serbia.
“Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi tek unë komandanti i përgjithshëm i KFOR-it dhe i cili pak a shumë dha një propozim që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale deri në qetësim të situatës nga pjesëtarët e KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak e Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Në parim e kemi pranuar këtë. Sa i përket orareve të tërheqjeve e realizimit teknik e logjistik të dakordimit të tillë kemi mbetur të dakordohemi edhe me Policinë e Kosovës. Në dakordimin në parim që ia kemi dhëne, jemi konsultuar paraprakisht me Policinë e Kosovës. Ne kemi qenë dakord, por Serbia e ka refuzuar këtë. Në javën e kaluar Serbia ka refuzuar dialogun në Bruksel duke vënë kushte, e këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i. Ne i kemi pranuar të dyja. Kemi qenë shumë gjenerozë dhe të gatshëm për takim për bisedime në Bruksel e në parim jemi dakorduar për propozimin e komandantit të KFOR-it, që pas takimit me neve ka shkuar në takim me katër kryetarët e komunave në veri dhe ata duket se pas konsultimit me kreun e fqinjit tonë verior, kanë refuzuar. Është për të ardhur keq sepse kjo ka ndodhur pas tankeve e MIG-ut në Jarinjë dhe pas djegies së qendrës në Zubin-Potok e bombave në Zveçan. Ne kemi pranuar, por Serbia ka refuzuar”, ka deklaruar ai.