Duboviku, vendlindja e saj, ishte përzgjedhur nga Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz për t’i grumbulluar parinë dhe mbështetësit tjerë të Listës Guxo. Takimi ndodhi para më shumë se tre muajsh, në fillim të verës së vitit 2021, e ndonëse temperaturat në Kosovë ishin ende të ulëta, aty brenda në kullë situata ‘u nxehë’ shumë. Gërvalla takimin e inicioi për ta shuar “zhurmën” dhe kundërshtitë që kishin nisur në atë kohë nga anëtarët e Listës Guxo, të cilët kërkonin që subjekti i krijuar nga Vjosa Osmani të garonte ndaras nga Vetëvendosje në zgjedhjet komunale. Por, gjithçka i shkoi si mos më keq kryediplomates, dhe ministrave të tjerë të Listës Guxo, që u përballen me shumë e shumë akuza nga njerëz të rëndësishëm të këtij grupimi politik. Takimi kishte kulmuar me fjalimin dëshpërues të Donika Gervallës, që të pranishmit i quajti vullnetarë dhe të padenjët për të krijuar me ta subjekt politik. Gazeta Online Reporteri.net ua sjell detajet ekskluzive nga ky takim, me video dhe fotografi nga brenda.
I menduar si një takim për të gjetur zgjidhje, i thirrur në vendlindjen e saj dhe të babait të saj hero Jusuf Gërvalla, për ushtruesen e detyrës së Kryetares së Listës Guxo shkoi si mos me keq.
Donika Gërvalla, në kullat e Gërvallëve të Dubovikut, u akuzua për zhgënjim nga njerëzit të cilët e rritën politikisht atë me mbështetjen e tyre.
Jo vetëm zhgënjim. Pati akuza që mbështetësit dhe koordinatorët e Listës Guxo në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 edhe u ‘tradhtuan’ dhe neglizhuan nga paria e Listës së Vjosa Osmanit. Gjithçka sipas të pranishmeve nisi të shkoi keq me tu zgjedhur kjo e fundit Presidente e vendit.
Krejt këto pretendime i ka thënë në këtë tubim Nasuf Bejta, ish-kandidati për deputet, që më vonë u bë kundërkandidati i Osmanit për President, sa për t’ia mundësuar asaj zgjedhjen shefe të shtetit, siç kërkohet me procedura kushtetuese.
Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar me videon fjalimin e Bejtes në takimin në Dubovik.
Gjitha këto fjalë zhgënjimi, Bejta i tha para anëtarëve dhe koordinatorëve të Listës Guxo e drejtuesve të saj, në mesin e tyre edhe Donika Gervalla-Schwarz, të cilës i drejtohet ai gjatë gjithë fjalimit të tij.
Tregon se si nuk ia hapen më as telefonin pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit për Presidente. Madje, thotë se i mbeti edhe një dhuratë pa ia dhënë.
“Kam qenë në gjendje edhe jetën me e dhanë, veç me mu realizu ajo dëshira e referendumit gjithëpopullor”, e nis fjalimin e tij Bejta, profesori nga Vushtrria dhe koordinatori i degës së Listës Guxo në këtë komunë, i cili si kandidat për deputet grumbulloi hiq më pak se 6000 mijë vota.
Madje, kundërkandidati i Vjosa Osmanit për President thotë se edhe u dogj keq nga shefja e shtetit dhe subjekti i saj, Lista Guxo, por përkundër kësaj ‘sakrifice’ të tij, thotë se krejt çka do është të gjendet një zgjidhje.
“Njëkohësisht, ndoshta, fundi ka me tregu se ndoshta jam ma i djeguri prej krejt kësaj liste. Për fat të keq, edhe për fat të mirë, jam tu prit në atë listën që s’ka me u realizu për deputet të parlamentit të Kosovës, por ajo është veç një miligram peshë për mu. Veç problemi le të zgjidhet”.
“Më kanë ftu për deputet kandidat, mas 2006-ës kam pushu. Në televizion e kam than, prej vdekjes së Rugovës kam pushu se nuk jam pajtu me politikat e LDK-së. Kam pranu kandidat për Vjosën, kam pranu çdo detyrë të Listës Vjosa, dhe mendoj se e kam kryer, kshtu e kam ditë që ndoshta po hupi shumë, por do ta realizoj, edhe dulem ku dulem”, dëgjohet të thotë Bejta në videon e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net.
Duke kundërshtuar “shkrirjen” e mundshme në Lëvizjen Vetëvendosje, Nasuf Bejta në takimin e Dubovikut i drejtohet Donika Gërvalles duke i kujtuar një takim që kishin pasur para krijimit të Listës Guxo, me Vjosa Osmanin.
Tregon se kishte propozuar të qëndrojnë në LDK, ta marrin drejtimin e kësaj partie, por se sipas Bejtes Vjosa Osmani ia kishte bërë të ditur se “i ka vdekur nëna asaj pune”.
“Thash mirë atëherë, unë ju tregova, jam i gatshëm. Përpara, le të bahen zyrat”, kujton ai bisedën me Osmanin, Gërvallen dhe të tjerët që u larguan vitin që shkoi nga LDK-ja për të formuar Listën Guxon në fillim të këtij viti, para zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Na po bohen gati me i hap zyrat, kum ba ekip të fortë në Vushtrri se me e dridhë Vushtrrinë, tash po m’duhet me ju than kthenu burra se s’ka kurgjo”, thotë tutje Bejta, i dëshpëruar për gjendjen e krijuar brenda Listës Vjosa dhe i zhgënjyer me sjelljen e drejtuesve të saj, të cilët thotë se pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit për Presidente as nuk i kanë hapur më telefonin.
“Kështu, tubimi i fundit, po i përgjigjna zotëri Burim Karametes dhe shumë të tjerëve që janë ktu, se miq kemi qenë miq do të mbesim, se unë nuk e kam fillu për hajgare. Kush e ka fillu për hajgare le ta vazhdon. Tubimi i fundit, zonja ministreshë, a ju kujtohet kur jemi pyt na delegatet e Listës, qysh po ja lajm emrin subjektit dhe çka po veprojmë, a ju kujtohet çka kom fol unë. Po më vjen shumë keq, por për fat të keq jam nifar vizionari e i qëlloj do sene të këqija. E kam prognozu rrahjen me karrika para se me ndodhe edhe ndodhi, edhe e kam ditë që s’ka me funksionu Lista, pse? Mendoj që propozimi imi ka qenë shumë i mirë, Vjosa me kta trima, guximtar që p’i thuni vetit, le te ban kërkesën e ka elektoratin, lshoni pe, na jemi LDK, le të udhëheqim partinë, le tjet pezull ajo. Tashti s’ish marr vesh. Mas presidentes, ka pretendim, ka njerëz, kemi me udhëheq LDK-në qysh duhet në frymën e Rugovës. Joo, i ka vdek nana kësaj pune, është fjali e presidentes. I ka vdek nana kësaj pune profesor edhe, në fakt ka pas arsyeje. Thash mirë atëherë, unë ju tregova, jam i gatshëm. Përpara, le të bahen zyrat. Kur ni ditë, për fat të keq kurr s’kam perjetu, than u mbyllë selia në Prishtinë. Na po bohen gati me i hap zyrat, kum ba ekip të fortë në Vushtrri se me e dridhë Vushtrrinë, tash po m’duhet me ju than kthenu burra se s’ka kurgjo”.
“Çka është kërkesa ime. Po ju tregoi sinqerisht, se njeri që mas pakti në botë, në Kosovë, don poste edhe ka diçka për perveti jam unë. E kam refuzu detyrën e drejtorit të Postë Telekomit të Kosovës me votë për Fatmir Sejdiun. Jam kanë pro Dacit, e kam refuzu atë post, e kam refuzu postin e Kandidatit për Kryetar të Komunës veç me shku me u ul, jo veç ka drejtësia edhe veç ka populli. Edhe kësaj radhe, asnjë milimetër nuk më shkon mendja, se a do të bahen, se i ka ba vitet, jam profesor, inxhinier i diplomum i elektroteknikes, shumë mburrna për karrierën time të pastër, 6000 mijë vota të pastra si loti, po ju betohna në cka t’doni votat ma të pastra në Kosovë. Kujt s’ja kam dhan ni çaj, kujt si kam thna ama votën, kuj nuk i kam than mi than diçka thuj dikuj, asnjë billboard se kom pas, as juve s’ju kam than hajdeni mas meje le t’um sheh dikush. Ato që mi ka dhan elektorati mi ka dhan, e i falënderojnë në tokë e në qiell. Qato janë kan”.
Tutje, Koordinatori i Listës Guxo në Vushtrri tregon se si nuk kishte arritur t’ia dhurojë Vjosa Osmanit, as një pikturë të punuar nga një nxënës i tij, enkas pas zgjedhjes së saj Presidente, me kundërkandidaturën e tij në Kuvend, sa për t’ia mundësuar procesin e rregullt.
Se për t’ia uruar vetë postin, sipas tij, as që u bë fjalë.
Thotë se as telefonin nuk ia hapen Osmani dhe të tjerët. Deri dikur kur arriti të kontaktojë me Ministrin Faton Peci, por që siç i kishte thënë, kishte qenë i sëmurë.
“Zgjati sëmundja shumë”, thotë ai, derisa disa të pranishëm në sallë dëgjohen duke qeshur me zë. I pranishëm në Dubovik kishte qenë edhe vetë Peci.
“Po qato 6000 vota i kam than edhe Vjosës, merri e ruaj, se janë të pastra. Kanë me na vytë për ma vonë. Këta lypin diçka. Met për me dal nëpër degë, prit, thirr, s’ka, thirr, s’ka, thirr, s’ka. Ni ditë po i shoh kta, thash edhe mu s’po me vykan kta. Edhe pse kundërkandidat i Vjosës, dëshirën e pata, një pikturë e pata të punume enkas për to, s’mu mundsue me ja uru postin t’pakten kundërkandidati. Me i than urime, u bojke e madhe nashti mu rrit emri në televizion. Pata dëshirë një pikturë, prej nipit të Latif Berishës, e ka punu enkas, nxënës, për Vjosën. Po, po. Dikur thash e qetash më plasi zemra, edhe e mora Fatonin [Pecin] në telefon, ky ish kanë s’mut për fat të keq [qeshin disa në sallë], zgjati smundja shumë [qeshin serish disa në sallë], edhe thash do të kërkojë adresë tjetër, edhe u lidha me këto grupet për çka i përgëzojë. Këta janë kanë shumë ma aktiv se na. Unë po ju tham, ju lumtë juve shtabin e Vjosës, edhe Lista që keni qenë. Ju jeni kan shumë aktiv. Po mu më ardhke keq me ju thanë, se na jemi pasivizu”.
Tutje, ai e kritikon ashpër Gërvallen se si Lista Guxo nuk ishte konsultuar fare me koordinatorët e saj për emrat e ministrave që i morën nga koalicioni me LVV-në, në Qeverinë Kurti 2.
“Prej zgjedhjes së Presidentes, unë mo me asnjë se kam asnjë kontakt. Se kam asnjë kontakt, me thanë se çka u bo, çka ndodhi? Ku jemi? Cka ndodhi? A kemi kandidat? A kemi naj vend të ministrit? Ma merr menja Donikë [Gërvalla] është dashtë, reni e ka lyp, me qata njerëz që keni fillu, me than uluni qetu, koalicioni po fillon, dy ministra i kemi, 15 zëvendësministra i kemi, a jau merr menja që është Fatoni [Peci] meritor, a s’është meritor. Cka jau merr menja, e jo veç kshtu”.
“Unë i zhgënjym kam shumë çka me fol, s’po du me fol”, thotë ai në tubim, derisa shton se nuk pranon assesi që Lista Guxo të shkrihet në Vetëvendosjen e Kryeministrit Albin Kurti.
“Unë për veti jam i lumtur e kam kry detyrën teme, unë e kam rrogën time, të pamvarur, me emër të zotit. Nashti matematikat e dikujt kam me i prish, në qoftë se Lista veç ka vendosë që me u shkri në Vetëvendosje, ose me ju than njerëzve që na i realizuam çka patëm e juve jau boftë zoti qajren. Qashtu jemi met na. Unë në Vushtrri s’po mund dal. Tu bo hajgare njerëzit me mu. Nuk u kan burra bash për qyshtu”, thotë Bejta.
“Unë jam shumë i sigurt, po s’patem, po me vjen keq që se patëm edhe Haxhinë [Avdyli] këtu, e me ju than, hajdni tash grahni partisë. Lypshit parti, grahni partisë. S’ka me dy mendje me dy lugë. E jo tash, tash po shihet në televizion, vec 2% me kan cka po del në televizor, boll osht. Merrni edhe qata çka i keni pa rahatu, rahatoni, e lenani rahat, na u digjem na. S’është me randsi, u digjem na, është Zoti i madh. Mu po me vjen shumë keq se në këtë udhë s’është dasht me u shku, po megjithatë, me qenë që është çështja se ajo pjesa ma e sinqerta e LDK-së, u nda, ka sakrifiku, ma merr menja ma me pozitivitet o desht me i analizu senet. Me i ngu njerëzit, me jau hap telefonin, se kur ish fushata, po valla edhe natën xingrrojke”, përfundon fjalimi i tij.
Përveç Bejtës, në takimin në fjalë, siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, edhe koordinatorët e qendrave tjera të Listës Guxo kanë shprehur shqetësimet dhe zhgënjimet e tyre.
Madje, disa prej tyre kanë e konsideruar “Listën Guxo” fantome dhe mashtrim.
Në takim kishte folur edhe vet Donika Gervalla. E cila sipas një burimi, i pranishëm në takim, i thotë Gazetës Online Reporteri.net, pasi kishte parë se nuk po arrin t’i qetësojë gjërat, kishte devijuar në kundërpërgjigje të rënda ndaj të pranishmëve.
Kryediplomatja Gervalla u kishte thënë anëtarëve dhe koordinatorëve të Listës Guxo të pranishëm se nuk janë të denjët si kuadro për të krijuar subjekt politik me ta, duke i quajtur veç “vullnetarë”, “të papunë” “që s’u ka kërkuar votën as për veten, as për Vjosën e as për Fatonin”.
Ndonëse nuk u bë kurrë publike, takimi kishte përfunduar me ‘hijen’ e shpërbërjes së Listës Guxo, ani pse drejtuesit e saj dhe Ministrat e saj vazhdojnë të paraqiten si subjekt politik. [VAZHDON…]