×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-përfaqësuesi i Kosovës në Vatikan: Vendimi i ri i presidentes skandaloz, ulje e nivelit përfaqësues në Selinë e Shenjtë

    Reporteri
    22 Nëntor 2021 | 17:30

    Ditën e sotme, në media është raportuar se Vehbi Miftari, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, është emëruar kundërligjshëm diplomat në Vatikan.

    Lidhur më këtë, ish-përfaqësuesi i Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, Anton Berisha, ka thënë se në kohën sa ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte qenë në krye të Qeverisë, e kishte trajtuar këtë çështje në mënyrë të gabuar dhe të dëmshme për Kosovën.

    Sipas tij ky vendim, në aspektin formal është një hap i duhur dhe përmirësim i qëndrimit, siç e ka quajtur ai skandaloz, të ish-kryeministrit Hoti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai ka shtuar se në aspektin përmbajtësor, vendimi është skandaloz dhe i papresedencë në përvojën diplomatike.

    “Me ardhjen e Qeverisë Kurti I, përkundër qëndrimit afirmativ të kryeministri Kurti cështja ka mbetur e hapur, përderisa Qeveria Hoti përkatësisht vet kryeministri Hoti, ndonëse ka pasur gjithe informacionin e duhur, e ka trajtuar në mënyrë të gabuar e të dëmshme për Kosovën, duke e anuluar njëanshëm marrëveshjen dhe duke demtuar Kosovën në trajtimin politik të kësaj çështjeje. Vendimi i presidents Osmani për të emëruar z. Vehbi Miftari, Përfaqësues i Republikës së Kosovës kontakt me Selinë e Shenjtë, në aspektin formal është hap i duhur dhe përmisim i qëndrimit skandaloz dhe të dëmshëm të z.Hoti, në repektimn e marrëveshjes dypalëshe: Republika e Kosovës-Selia e Shenjtë; përderisa në kuptimin përmbajtësor VENDIMI 441/21 është skandaloz dhe i papresedencë në përvojën diplomatike”, ka shkruar ai në Facebook.

    Berisha po ashtu i ka kërkuar presidentes Osmani duhet ta ruajë kualitetin e marrëveshjes, përndryshe sipas tij, vendimi është “ulje e nivelit përfaqësues. Ai po ashtu i ka rekomanduar Osmanit që mos ta aprovoj këtë vendim skandaloz.

    “Presidentja duhet të ruaj kualitetin e marrëveshjes dhe të bëjë hapa para, përndryshe vendimi është ulje e nivelit përfaqësues, shkrirje e Zyrën e Kontaktit të Vatikanit në Misionin Diplomatik në Itali, emërim i paqartë i Ministrtit Këshilltar në statusin e tij diplomatik dhe të kompetencës në relacion me Selinë e Shenjtë. Kjo qasje është joserioze dhe e dëmshme, prandaj i rekomandoj presidentes të mos aprovoj këtë vendim skandaloz dhe të papërgjegjshëm të ministres Gërvalla, të shqyrtoj të gjithë dokumentacionin dhe ecurinë e këtij procesi”, ka thënë Berisha.

    “Natyrisht, në interes të vendit, duke qenë përfaqësuesi i vetëm që kam kryer këtë detyrë, jam i gatshëm të jap gjithë ndihmesën time’, ka shtuar ai.

    Sot, portali “Demokracia” raportoi se Vehbi Miftari, do të shërbejë si “përfaqësues” i Republikës së Kosovës për kontakt në Selinë e Shenjtë, ndonëse Vatikani ende nuk na njeh si shtet.

    Sipas këtij portali, vendimi është nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, vendim ky i cili nuk është bërë transparent për publikun.

    Sipas tyre, këshilltari i Osmanit, me vendim të MPJ-së, pritet të fillojë realizimin e detyrave të tij nga 1 dhjetori i këtij viti, deri më 30 nëntor të vitit 2025.

    Por një gjë e tillë është mohuar nga Presidenca.

    Nga Presidenca kanë thënë se Miftari nuk është emëruar diplomat, por vetëm person kontaktues nga Kosova me Selinë e Shenjtë.

    Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, përmes një reagimi dërguar në adresën e Gazetës Online Reporteri.net, ka thënë se Vehbi Miftari është caktuar si person i cili do të mbajë kontakt me Selinë e Shenjtë, por nuk është emëruar të shërbejë në ndonjë mision diplomatik e as nuk do të marrë gradë diplomatike.

    “Këshilltari i Presidentes nuk është emëruar të shërbejë në ndonjë mision diplomatik e as nuk do të marrë ndonjë grade diplomatike. Do të mbajë kontakt me Selinë e Shenjtë, si person kontaktues nga Kosova, në përputhje të plotë me praktikat e mëhershme të institucioneve dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Prandaj lajmi i publikuar nga ana juaj është i pasaktë”, ka thënë Kupina. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!