×
  • Lajme
  • Botë

    Gjermania në kërkim të 400 mijë punëtorëve emigrantë

    Reporteri
    25 Nëntor 2021 | 8:07

    Gjermania ka nevojë për 400,000 emigrantë në vit për të mbajtur një numër konstant të punonjësve në tregun e punës, njoftoi të martën Instituti i Kërkimeve të Tregut të Punës (IAB).

    “Për shkak të ndryshimeve demografike, numri i të punësuarve është vazhdimisht në rënie, pavarësisht masave si rritja e përfshirjes së grave në tregun e punës dhe më vonë pensionimi. Numri i të punësuarve do të bjerë nga 47 në 44 milionë deri në vitin 2035”, thuhet në deklaratë.

    Kjo llogaritje përfshin gjithashtu supozimin se 100,000 emigrantë hyjnë në tregun gjerman të punës çdo vit. Ekspertët e IAB, e cila operon në kuadër të Agjencisë Federale të Punësimit, flasin për numrin prej të paktën 400.000 emigrantëve, të cilët do të ishin të nevojshëm për të ruajtur numrin e të punësuarve në tregun e punës, shkruan Seebiz.

    Se situata është urgjente konfirmohet edhe nga presidenti i agjencisë gjermane të punësimit, Detlef Schelle, i cili paralajmëroi këtë javë se numri i njerëzve të aftë për punë në Gjermani do të ulet me rreth 150,000 këtë vit dhe se deficiti do të vazhdojë të rritet.

    Që ka mungesë të punëtorëve në Gjermani është evidente në fushën e profesioneve artizanale në prodhim dhe ndërtim. Nga 26 profesionet zejtare në të cilat ka mungesë të veçantë të punëtorëve të kualifikuar, 17 janë nga këto industri. Këto përfshijnë, për shembull, instalimet elektrike të ndërtimit, hidraulik, ngrohjen, klimatizimin. Në sektorin e përpunimit të mishit kërkohet dëshpërimisht edhe staf i kualifikuar.

    Nga ana tjetër, Gjermania kërkon edhe punëtorë me arsim të lartë dhe të trajnuar. Vitin e kaluar, Gjermania njohu plotësisht ose pjesërisht rreth 44,800 diploma të huaja, sipas të dhënave të Byrosë Gjermane të Statistikave. Kjo është pesë për qind më shumë se në vitin 2019, pavarësisht nga pandemia që goditi ekonominë gjermane në vitin 2020.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!