Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se është i angazhuar në Presidencë si Këshilltar i Jashtëm, përmes një projektit të ambasadës norvegjeze në Prishtinë. Deklarata e tij vjen vetëm pak minuta pasi Gazeta Online Reporteri.net raportoi për punën e tij të re.
Ish-Gjyqtari i Kushtetueses, që njihet edhe si gjyqtari që rrezoi Qeverinë Hoti në Gjykatë Kushtetuese, në bisedën për Gazetës Online Reporteri.net angazhimin e tij në Presidencë e përkufizon si konsulent/ekspert i jashtëm.
Thotë se punëdhënësi i tij nuk është Presidenca e as Presidentja Vjosa Osmani, por sipas tij një OJQ ku ai kishe qenë i angazhuar edhe me herët dhe përmes një projekti të Ambasadës norvegjeze në Prishtinë.
“Unë jam angazhuar si konsulent/ekspert nga Grupi për Studime të Politikave Ballkanike(BPRG) në një projekt të Ambasadës së Norvegjisë, që ka për objektiv forcimin e kapaciteteve institucionale të Republikës së Kosovës. Angazhimi është për një periudhë të caktuar dhe me një numër të kufizuar ditësh gjatë muajit. Aktualisht, unë me një kolege tjeter jemi angazhuar si konsulent/ekspert tek Presidenca e Republikës së Kosovës, por punëdhënësi ynë është BPRG/projekti i Ambasadës së Norvegjisë. Pra nuk jemi pjesë e Kabinetit apo Institucionit të Presidencës. Ka ekspert në kuader të të njëjtit projekt që janë angazhuar tek institucione të tjera qendrore”, tha ai për Reporteri.net.
Ish-gjyqtari i Kushtetueses që e rrëzoi Qeverinë Hoti bëhet këshilltar i Vjosa Osmanit
Sejdiu, shtoi se si ekspert i Jashtëm te Presidenca, i ka ditët e caktuara për një kohë të caktuar.
“Unë fillimisht kam qenë i angazhuar tek organizata në fjalë (BPRG) si ekspert për çështje kushtetuese-juridike në një projekt tjetër, që nuk ka pasur të bëj me Presidencën. Më vonë përmes kontratës së lidhur me këtë organizatë jo-qeveritare dhe në kuadër të të njëjtit projekt të Ambasadës së Norvegjisë jam angazhuar tek Presidenca, siç ju thashë, si ekspert i jashtëm me ditë të caktuara të punës dhe për një kohë të caktuar”, tha Sejdiu.
Bekim Sejdiu kishte qenë gjyqtari raportues i lëndës në Kushtetuese për votën e ish-deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti, që unanimisht u votua s’i jo kushtetuese, për ta çuar vendin në zgjedhjet e 14 shkurtit, që pasuan me zgjedhjen e shefes së tij të re, shefe të shtetit. Nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, ai ishte dorëhequr në maj të këtij viti, pasi nuk kishte arritur të vijë në krye të institucionit më të lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës dhe shqyrtim gjyqësor të ligjeve lidhur me përputhjen e tyre me Kushtetutë.
Sejdiu, në të shkuarën kishte shërbyer edhe si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë (2008-2012) dhe Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014). /Reporteri.net/