Tashmë është zyrtare. Kryeministri Albin Kurti, këtë vit nuk do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Amerikë edhe pse këtë e kishte thënë vet kreu i qeverisë gjatë një seance para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri Kurti sot në një konferencë për media heqi të gjitha pikëpyetjet, dhe bëri të ditur se në SHBA do të shkojë në fillim të vitit të ardhshëm, edhe pse nuk specifikoi një datë të saktë se kur, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se stafi i tij po e përgatit vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila siç tha ai, do të zhvillohet në fillim të vitit të ri.
Kurti poashtu la të kuptohet në konferencë se ende nuk e di nëse do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, pasi tha se nuk do të njoftojnë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë i vizitës.
“Shefi i stafit të kryeministrit, Z. Luan Dalipi është duke e përgatitur vizitën time në SHBA në fillim të vitit të ardhshëm, mirëpo ne nuk do të njoftojmë për takime të veçanta pa u bërë programi i plotë”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë se Kurti në shtator, në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se gjatë nëntorit do të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më 20 shtator, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në seancën e Kuvendit se pse nuk ka shkuar në Asamblenë e Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Kurti tha se nuk ka pasur synim të shkonte atje, rrjedhimisht edhe s’ka aplikuar për vizë.
“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë kryeministri. /Reporteri.net/.