“Ballkani i Hapur”, nisma rajonale Tiranë-Beograd-Shkup, nuk po prodhon efektet e pritura, së paku në aspektin ekonomik.
Dy vite pas “Mini-Schengenit” të firmosur në tetor të vitit 2019, muaj pas “Ballkanit të Hapur” të pagëzuar në korrik të këtij viti e një ditë para mbledhjes në Tiranë së udhëheqësve politikë të tre shteteve, iniciativa nuk ka nxitur shkëmbimet tregtare mes vendeve.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, të dhënat më 11 muajt e këtij viti tregojnë se eksportet dhe importet mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut ka mbetur në nivele të njëjta edhe me periudhën e para firmosjes së nismës.
Ndryshimi i vetëm është se Shqipëria ka thelluar deficitin tregtar me dy shtetet fqinje, duke u paraqitur inferiore si me Serbinë ashtu edhe me Maqedoninë e veriut.
Çalimi në funksionimin e “Ballkanit të Hapur”, studiuesi i ekonomisë Zef Preçi i shpjegon duke paralelizuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë.
Lehtësimi në proceduarat e importeve dhe eksporteve; lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim; tregu i përbashkët për 12 milionë banorët e tre vendeve; heqja e kontrolleve në pikat kufitare apo bashkëpunimi në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore janë disa prej marrëveshjeve të firmosura në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, të cilave pritet t’iu shtohen të tjera firma në 20 dhe 21 dhjetor. /A2