×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK: S’jemi informuar për takimin me palën serbe në Berlin, do të kërkojmë sqarime nga Haradinaj

    Reporteri
    20 Qershor 2019 | 22:20

    Partia Demokratike e Kosovës thotë se nuk është e informuar për takimin teknik të zhvilluar të mërkurën mbëma në Gjermani mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.


    Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë ka thënë se qysh nesër do të kërkojnë sqarime nga kryeministri Ramush Haradinaj për takimin në fjalë.

    “S’kemi qenë të informuar ne e as partnerët tonë të koalicionit (NISMA), dhe qysh nesër do të kërkojmë të dijmë se cilat kanë qenë temat në këtë takim.

    Dimë që ka njerëz të mandatuar për dialog, dhe këta (Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti) nuk kanë qenë pjesë të takimit dhe do të marrim info shtesë të këtij takimi. Dhe presim informata shtesë nga Zyra e kryeministrit dhe kryeministri”, tha Tahiri për Dukagjinin, shkruan Reporteri.net.

    Edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për mbajtjen e këtij takimi.

    Liridon Llapashtica, këshilltar politik i ministrit, Behgjet Pacolli, ka thënë për lajmi.net, se MPJ-ja nuk ka qenë në dijeni.

    “Ministria e Punëve të Jashtme s’ka asnjë informacion në lidhje me temën që po e trajtoni ju. MPJ nuk ka qenë e informuar në lidhje më këtë takim. Ju lutem drejtojuni Zyrës së Kryeministrit”, ka thënë Llapashtica.

    Kujtojmë se mbajtjen e takimit në Berlin me palën serbe e ka konfirmuar për Reporteri.net ish – shefi i delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë Avni Arifi i cili aktualisht është ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    “I tërë takimi ka pasur të bëjë vetëm për të arritur te dialogu teknik ku ka mbet procesi, pra se si të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar Arifi për Reporteri.net.

    Ai ka bërë me dije se delegacioni i Kosovës nuk ka pasur autorizime të flas rreth çështjes së taksës sikurse edhe për çështjet e nxehta politike siç është Asociacioni dhe temat tjera. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!