×
Opinione

Çmontimi i dogmës si shtegadalje nga kriza

Reporteri
09 Shkurt 2022 | 10:13

Autor: Afrim Kasolli


Ngritja e tarifave të energjisë dje nga ZRRE-ja, manovrimet tinëzare të qeverisë si dhe mënyrat e reagimit të opozitës shpërfaqen edhe një herë thelbin e krizës jo vetëm energjetike, por edhe konsensusin hegjemonik ideologjik që po dominon në Kosovë tash e sa kohë, e që si i tillë është bërë pengesë për krijim të alternativave sociale, ekonomike dhe politike për shtegdalje nga kjo krizë e përgjithshme.

Në fund të fundit, i gjithë reagimi i opozitës fokusohej te kërkesa vetëm që mos ngritën çmimet, apo duke kërkuar zgjidhje juridike për këtë problem, por pa i adresuar kushtet politike dhe ideologjike që një trup si ZRRE-ja jashtë çdo kontrolli demokratik dhe politik ka guximin për të marr vendime të tilla. Kjo qasje shihet qartë se është e motivuar për qëllime afatshkurtra elektorale, por pa ofruar një vizion afatgjatë politik përballë kësaj situate. Me këtë nuk them se opozita nuk të drejtë të tentoj të përfitoj nga pakënaqësitë momentale qytetare. Absolutisht kjo është një drejtë legjitime. Madje taktika të tilla dikur i kishte përdorur me shumë dinakëri vetë kryeministri aktual. Por që tani i janë rikthyer në bumerang.

Në një sërë shkrimesh të mëhershme sikur “Ra kjo krizë e u pamë”, “Gjuha e Besim Beqajt në trup të Albin Kurtit” si dhe “Fitorja ideologjike opozitës dhe humbja politike e saj”që i kam artikuluar në faqet e këtij mediumi dhe në të tjera, kam tentuar të argumentoj se sot Albin Kurti është bërë shembull eklatant i inkarnimit të besimeve ideologjike që opozita e sotme ka mbrojtur ndër vite.

Prandaj, nëse mirëfilli ajo ka besuar në ato dogma që i ka trumbetuar në vazhdimësi tani duhet të jetë krenare që oponenti më i madh i saj politik është shndërruar sot në zbatuesin më fanatik të tyre. Dhe është kjo opozitë që e ka mbrojtur me pietet gati sakral privatizim e KEDS-it dhe etablimin e trupave të pavarur administrativë gjoja nën emrin e standardeve teknokratike, e që kanë të drejtë të vendosin konfrom logjikës së tregut dhe jo konsideratave tjera sociale dhe politike.

Këto kontradikta tregojnë se adresimi i kësaj krize duhet të bëhet në terma tjera. Sepse duke u marr vetëm me simptomat e krizës ne e ruajmë të paprekur etiologjinë e saj. Kështu çdo qasje që nuk kërkon ndryshimin e parametrave të këtij sistemi, por fokusohet vetëm gjoja te keqadministrimi i tij burokratik vazhdon të mbetet e prangosur brenda kësaj skeme që tashmë është bërë burim i krizës.

Kjo mendësi të kujton reminishencat ideologjike të apologjetëve të doktrinave religjioze në mesjetë, kur të tmerruar nga keqpërdorimet e institucioneve fetare pohonin se dogma është e përsosur, por faji duhet kërkuar të moszbatimi i saj nga individët konkret. Apo edhe në kohën e komunizmit kur nostalgjikët e teorisë së shpëtimit njerëzor pasi ballafaqoheshin me abuzimet e burokrateve të atij sistemi insistonin se gabimin nuk duhet kërkuar të teoria por të abuzimi praktik i saj që e kishin promovuar liderët e këtij regjimi të etur nga kulti i individit dhe jo gjakimi për barazi të përgjithshme sociale.

Mirëpo, këto raste dëshmuan saktësisht të kundërtën. Se nuk mund të korrigjohen patologjitë e sistemit pa e adresuar thelbin e problemit; çmontimin e ideologjisë që e mirëmbante atë.

Rrjedhimisht, sot opozita kosovare e ka këtë shans para vetës. Një fushë e madhe ideologjike dhe politike është hapur para saj. Që ajo ta sajojë alternativën e konkrete kundër koordinatave që po i mbron sot Albin Kurti. Inaugurimi i këtij modeli do të shtronte rrugën për kërkimin mundësive për transformim të njëmend politik dhe shoqëror. Dhe jo promovimin e skemave që na mbajnë të bllokuar vazhdimisht në këtë rreth vicioz, ku ndërrojnë elitat sunduese, por realisht nuk ndodh asnjë ndryshim shoqëror dhe politik.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!