×
  • Lajme
  • Lajme

    E kaluara kriminale e policit Shefki Spahiu, që shteti e dekoroi gjatë kohës sa akuzohej për dhunimin e dy të miturave

    Reporteri
    18 Mars 2019 | 17:53

    Rreshteri i policisë Shefki Spahiu dyshohet se vrau dje një 32-vjeçar në Suharekë, derisa si pjesë e një grupi kishin hyrë për të plaçkitur një kazino. Por, për të dyshuarin, i njohur mirë për skandale, vite më parë rëndonin akuza se kishte dhunuar dy vajza të mitura e edhe se kishte falsifikuar dokumente e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare. Megjithëkëtë kjo nuk e kishte ndaluar atëherë shefin e Policisë, Shpend Maxhunin që të njëjtin ta dekoronte me mirënjohje për punë të mirë.


    Më 22 qershor të vitit 2015-të, policit Shefki Spahiu nga Komuna e Suharekës, Gjykata Themelore e Prizrenit ia caktoi masën e një muaji paraburgim, nën dyshimet se kishte keqpërdor seksualisht dy vajza të mitura.

    Shefiku dyshohej se më 9 qershor të atij viti, në një motel në komunën e tij kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur, nën moshën 16-vjeçare, e pas saj, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me një vajzë tjetër, po ashtu të mitur.

    Reporteri.net raportoi të dielën, ditën kur ndodhi vrasja e të riut në Suharekë, se polici i dyshuar për krimin edhe më parë kishte qenë nën dyshime për veprime kriminale, konkretisht i dyshuar për një rast dhunimi. Me ç’rast edhe kishte qenë për një kohë i suspenduar nga puna, për tu kthyer më vonë sërish në Polici të Kosovës.

    E të hënën, Gazeta Express ka sjellë një pjesë nga aktakuza e ngritur ndaj tij, për rastin e dhunimit.

    “Në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, duke shfrytëzuar situatën e pambrojtur dhe moshën e të dëmtuarave, pas kryerjes së aktit seksual me njërën të mitur, kryen aktin seksual edhe me një të dëmtuar tjetër,” shkruhej në aktakuzën në fjalë.

    Mirëpo, Gjykata Themelore në Prizren, një vit më vonë do ta shpallte të njëjtin të pafajshëm, duke vlerësuar se pretendimet e prokurorisë ishin të paqëndrueshme.

    Vetëm pak muaj më vonë, siç ka shkruar Reporteri.net, polici i akuzuar për abuzim seksual, në dhjetor të vitit 2016, në një ceremoni vjetore u dekorua me mirënjohje nga shefi i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

    Kjo mirënjohje, atij iu dha të njëjtin vit kur ai po gjykohej nën dyshimet për abuzim me të mitura.

    Se për Spahiun rëndonin këto akuza, e kanë konfirmuar gjatë ditës edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës.

    Nga IPK kanë sqaruar se ai ishte arrestuar në datën 19 qershor të 2015-tës e të njëjtën ditë ishte suspenduar nga vendi i tij i punës. Edhe pas vendimit të Gjykatës, në tetor të atij viti IPK kishte rekomanduar që i njëjti të transferohet.

    “Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) më 19.06.2015 me aktvendim të prokurorisë Themelore në Prizren e kanë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë të dyshuarin Sh. S..

    I njëjti me rekomandim të IPK-së është suspenduar dhe ndaj tij nga Inspektorati Policor i Kosovës është ngritur kallëzim penal me dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”.

    Më 25 tetor të vitit 2016 zyrtarit Policor i është rekomanduar masa e transferit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së, për Express.

    Dy vite më vonë, polici problematik ishte në llupë të IPK-së nën dyshimet se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kishte falsifikuar dokumente.

    “Hetuesit e IPK-së më 05 dhjetor 2018, për një rast tjetër, ndaj të dyshuarit Sh. S ka ngritur kallëzim penal në prokurorinë kompetente me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, kanë bërë të ditur nga IPK.

    Por, historia nuk përfundon me kaq. Sipas disa burimeve polici i njëjtë, i dyshuar për disa raste frekuentonte shpesh kazinotë, e ishte fans i alkoolit e ndejave të natës.

    Njëjtë kishte ndodhur edhe ditën kur i njëjti dyshohet se me një grup kishte shkuar në një kazino, në qytetin e tij në orët e para të mëngjesit dhe kishte qëlluar për vdekje një 32-vjeçar, derisa këta në atë kazino dyshohet se po kryenin një vjedhje.

    Dyshimet janë se atë ditë ai kishte qëndruar në kazino deri vonë, e në momentin kur i shkrepi plumbat drejt viktimës, personi i vrarë veçse e kishte identifikuar.

    Nga Inspektorati i Policisë së Kosovës për rastin e djeshëm thonë se deri më tani hetimet tregojnë se polici i dyshuar nuk ka qenë në detyrë zyrtare në momentin kur ka ndodhur rasti.

    “Sa i përket incidentit të djeshëm (rastit të vrasjes në Suharekë), hetimet e deritashme tregojnë se i dyshuari Sh. S nuk ka qenë në detyrë zyrtare në kohën kur ka ndodhur incidenti. Sa i përket armës që është përdorur në këtë fazë të hetimeve nuk mund të jepen detaje pasi që janë një sërë ekzaminimesh balistike dhe ekzaminime të tjera që duhet të bëhen”, bëjnë të ditur nga Inspektorati.

    Rreshteri i policisë, i dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit Jetmir Alijaj nga Mushtishti i Suharekës, fillimisht është ndaluar për 48 orë, ndërkaq, është bërë kërkesë për caktim të paraburgimit.

    Gjatë bastisjes në shtëpinë e rreshterit të policisë, madje u konfiskua edhe një armë, disa fishekë e dy karikatorë.

    Mediat kanë raportuar e i njëjti ka të punësuar vëllain si shofer në Prokurorinë Themelore të Prizrenit. Madje, në ditën kur ndodhi vrasja, i njëjti kishte shoqëruar prokurorin e rastit deri në vend të ngjarjes. Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Admir Shala.

    “Është shofer e ka çu prokurorin në vend të ngjarjes edhe ka qenë kujdestar atë ditë prokurori e ka thirr me çu në vend të ngjarjes”, ka deklaruar ai, duke shtuar se nuk e kishin ditur paraprakisht se bëhej fjala për Shefki Spahiun, të përfshirë në rast.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!