×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Protesta kundër rritjes së çmimeve, Meta: Policia të distancohet nga ndalimet e pajustifikuara

    Reporteri
    11 Mars 2022 | 22:25

    Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar pas protestës së ditës së sotme në Tiranë dhe disa qytete të vendit duke i kërkuar qeverisë që të mbajë përgjegjësi për shqetësimin e qytetarëve. Ndërsa policisë i kërkon që të distancohet nga dhuna e papranueshme dhe ndalimet e pajustifikuara.

    “I bëj thirrje Qeverisë të dëshmojë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e të gjitha çështjeve që po shqetësojnë me të drejtë qytetarët, të cilët prej ditësh po protestojnë, në mbarë vendin, për dinjitetin dhe të drejtat e tyre thelbësore. Policisë së Shtetit i tërheq vëmendjen për t’u distancuar nga dhuna e papranueshme dhe ndalimet e pajustifikuara”, shkruan presidenti Meta.

    Përplasje mes policisë dhe protestuesve në Tiranë

    Sot ishte dita e tretë e protestës në Tiranë dhe qytete të tjera pasi qytetarët kundërshtojnë rritjen e çmimit të naftës që për pasojë ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të tjera.

    Në Tiranë u mblodhën dhjetëra qytetarë, të cilët qëndruan rreth 2 orë para kryeministrisë ndërsa më pas u zhvendosën në rrugën e Durrësit dhe tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi.

    Ata paralajmëruan se ditën e nesërme në orën 11:00 do të jetë protesta më e madhe pasi do të vijnë edhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Ditën e sotme, situata e tensionuar ishte në Durrës ku qytetarët bllokuan rrugët e qytetit dhe pati përplasje pasi thyen kordonin e policisë për të bllokuar autostradën Tiranë-Durrës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!