×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rritja e çmimeve, Rama prezanton 7 pikat e Paketës së Rezistencës Sociale

    Reporteri
    12 Mars 2022 | 16:32

    Kryeministri Edi Rama njoftoi 7 pikat e asaj që e quan Paketën e Rezistencës Sociale.

    Në këto pika përfshihet kompensim për mbi 670 mijë pensionistë të vendit.

    1- 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë USD, për indeksimin e menjëhershëm të pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.

    2- Për 434 mijë përfitues, do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra.

    Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra, për 3 muaj rresht, për këto kategori:

    – Pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale

    – Pensionistë të invaliditetit

    – Pensionistë që jetojnë vetëm

    – Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër

    – Të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike

    3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.

    4 – Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.

    5 – Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të reja.

    Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar.

    Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!

    6 – Afrojmë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.

    7 – Shtojmë me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimin e mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!