×
  • Lajme
  • Lajme

    Sveçla: Policia e Kosovës në veri sot u sulmua me granata dore, ky është akt terrorist

    Reporteri
    15 Prill 2022 | 10:13

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar me granatë dore dhe  armë AK-47 mëngjesin e sotëm.

    Sveçla e ka quajtur këtë “sulm terrorist”, shkruan Reporteri.net.

    Ai ka thënë se ky është sulmi i katërt brenda disa ditëve ndaj policisë kufitare të Kosovës.

    “Sot rreth orës 7:40 ka ndodhë një sulm ndaj policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke shkuar për ta kryer ndërrimin në pikat kufitare. Ky Sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe armë AK 47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve tanë. Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar 4 sulme në atë zonë. Sulmi i parë ka ndodh duke vendosë iriqa metalikë në rrugën nacionale në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim të pamundësojnë punën e policisë. Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës, sulmi i tretë është publik, ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të puntit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri, dhe sot drejtpërdrejtë janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare. Ky ishte një ndërrim i rregullt i policisë që ndodh në ora 08:00, dhe dy nga katër sulmet kanë ndodhur në atë kohë”, ka thënë Ministri Sveçla.

    Ndërkaq drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se janë goditur me granatë dore dhe armë veturat që transportonin policët në pikat kufitare.

    “Të dy veturat e Policisë janë dëmtuar. Janë gjetur gëzhojat e armës dhe pjesë të granatës së dorës . Ky është xhami i një prej veturave. Është gjuajtur drejtëpërdrejtë për të goditur për policinë, por xhami ka qenë i blinduar. Kjo është pjesë e granatës së dorës, është granatë luftarake”, tha ai derisa ka publikuar pamjet e sulmit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!