Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Negociator, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se ideja e krijimit të tij ishte e mençur dhe jo gabim.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ekipin Negociator për bisedime me Serbinë.
Sipas tij, ideja për krijimin e këtij ekipi nuk ka qenë e gabuar.
“Kjo nuk do të thotë, unë i vlerësoj vlerësimet e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese s’dua me hi në gjykim profesional me ta, ata janë të thirrur, mirëpo ideja me i dhanë një mandat të përkohshëm një trupe gjithëpërfshirëse për një temë që është ma shumë se sa qeverisja që e mandaton Kushtetuta e vendit, nuk ka qenë e gabuar, mendoj se ka qenë e mençur”, ka thënë ai.
Sipas tij, trupa si Ekipi Negociator, kanë krijuar edhe shtetet tjera, në procesin e anëtarësimit të tyre.
“Me Kushtetutë qeveria është e mandatuar me qeverisë. Çështja e dialogut nuk është veç e Qeverisë që duhet ta kryej kryetari i Qeverisë, është projekt ma i madh, nacional, del jashtë përgjegjësive të zakonshme të një Qeverie. Është e logjikshme që me krijua trupa ad hoc për një çështje të tillë nacionale. Edhe vendet tjera krijojnë mekanizma të tilla për tema të tilla, kur e kanë procesin e anëtarësimit në BE, i marrin prej pozite, prej opozite, Maqedonia ka bë trupa të tilla në parlament. Në raste të tilla ju japin opozitarëve kryesimin”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj po ashtu ka thënë se e admiron angazhimin e PSD-së për çështjen e dialogut.
“Unë e admiroj PSD-në për me marrë angazhim në këtë temë. Unë jam kritiku pse se kam marrë përgjegjësinë për dialogun. Unë kam pas vërejtje për dialogun, kam qenë i interesuar që në etapën finale të dialogut të jemi të gjithë bashkë”, ka thënë ai.
Këto komente, Haradinaj i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimi për “Prishtinën e Re”, si dhe projekte të tjera me shumë rëndësi në kryeqytet.