Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, e ka mohuar raportimin se janë “zhdukur” rreth 10 milionë euro të shtetit të destinuara për blerjen e produkteve për rezervat shtetërore.
“Ju njoftojmë se lidhur me artikullin e publikuar në portalin Isajderi, me titullin ‘Skandali i madh i ministres Rozeta Hajdari; Zhduken rreth 10 milion euro te destinuara për rezervat shtetërore’, njoftojmë opinionin publik se përmbajtja e këtij artikulli është e pavërtetë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinionin e gjerë se rezervat shtetërore janë siguruar sipas planifikimit të projektuar”, kanë thënë nga Ministria.
Tutje, nga Ministria kanë njoftuar se në lidhje me raportime të tilla do të ndiqen rrugët ligjore.
“Rezerva e shtuar gjatë fillim vitit 2022, veçse ka arritur në Kosove dhe është vendosur në lokacionet e aranzhuara për rezervën shtetërore. Raportime të pavërteta si kjo janë të dëmshme për sigurinë publike, andaj Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të ndjekë rrugët ligjore.”
Në anën tjetër, edhe vetë Ministrja Hajdari ka thënë se këto raportime janë shpifje.
Ndryshe, Insajderi ka raportuar sot se një shumë prej rreth 10 milionë euro të shtetit të destinuara për blerjen e produkteve për rezervat shtetërore, dyshohet se janë “zhdukur”. Sipas këtij mediumi, malli që është blerë për rezerva nuk ka arritur në Kosovë, ndërsa kompania nga e cila është blerë ky mall është “zhdukur”.