×
  • Lajme
  • Lajme

    Berberi nga Drenasi inskenon rrëmbimin, dërgoi foto duarlidhur te familja

    Reporteri
    14 Maj 2022 | 7:27

    Qysh në tentimin e dytë për t’i mashtruar familjarët, një 20-vjeçar nga fshati Nakoc i Drenasit u zbulua nga autoritetet dhe u arrestua të enjten mbrëma.

    “Fillimisht rasti u raportua si rrëmbim, ku menjëherë prokurori kujdestar, në koordinim me policinë, ka vepruar duke e lokalizuar të dyshuarin, nga i cili e kanë kuptuar se gjithçka është inskenim dhe nuk ka të bëjë me kidnapim”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

    I dyshuari me inicialet A.G., që punon si berber në Drenas, kishte provuar që kidnapimin e rrejshëm ta bëjë sa më bindës për familjarët.

    “Ai u ka dërguar video dhe foto të tij familjarëve, duke kërkuar vlerën prej 3 mijë eurosh”, ka sqaruar Ulaj, raporton klankosova.

    Vetëm pak javë më parë i dyshuari e kishte bërë edhe një kësi mashtrimi.

    Por, zëdhënësja e prokurorisë thotë se rastin e parë familjarët e kanë kaluar në heshtje, duke mos e raportuar në polici.

    Klan Kosova mëson nga burimet e veta se i riu e ka arsyetuar inskenimin me arsyetimin se u ka para borxh disa personave. Por, kjo nuk u mohua as pohua nga familjarët.

    Babai i tij i tha televizionit me telefon se nuk ka çka të flasë për rastin, meqë çështjen ia ka besuar drejtësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!