Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër në lidhje me rastin që u raportua të martën si rast i diskriminimit ndaj komuniteteve pakicë në Festën e Abetares, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Vizitova sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komunitetit rom, ashkali, egjiptian.
Me këtë rast, vizitova disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe bisedova me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë”, ka njoftuar Nagavci në Facebook.
Tutje, ajo i quajti të papranueshme pamjet e Festës së Abetares, duke deklaruar se Ministria e Arsimit ka dërguar inspektorët për të shqyrtuar më në detaje ndodhinë.
“Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona. Për rastin e e djeshëm, MAShTI ka dërguar inspektorët, të cilët do të shqyrtojnë në detaje informatën, ndërsa nga vizita në shkollë u informova se bëhet fjalë për një klasë të mësimit intenziv, ku ka nxënës të moshave dhe klasave të ndryshme, të cilët janë riatdhesuar ose e kanë braktisur mësimin për arsye të ndryshme”, shkroi Nagavci. /Reporteri.net/
Diskriminim: Nxënësit nga komuniteti RAE ndahen anash te Festa e Abetares