×
  • Lajme
  • Lajme

    Në mungesë të Kurtit, Gjukanoviqit i shtron drekë Besnik Bislimi

    Reporteri
    18 Maj 2022 | 21:07

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka shtruar një drekë presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, meqenëse kryeministri Albin Kurti ndodhet ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Për këtë drekë ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate drejtuar mediave.

    Aty se Bislimi dhe Gjukanoviq biseduan për dialogun e Kosovës me Serbinë, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, shkruan Reporteri.net.

    “Kosova dhe Mali i Zi ndajnë së bashku të ardhmen e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, për të cilën po angazhohen maksimalisht në arritjen e objektivave të agjendës evropiane, në këtë rrugëtim gjithëpërfshirës që parasheh Procesi i Berlinit. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe përkushtimin ndaj fqinjësisë së mirë. Gjithashtu, Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit”, thuhet në komunikatë.

    Në komunikatën e ZKM’së s’përmendet nëse ata kanë folur edhe për demarkacionin.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi dialogun me Serbinë, ku theksoi se Kosova është e përkushtuar në arritje të marrëveshjeve permanente për çështje të ndryshme, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Marrëveshja si ajo e targave, nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje. Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

    Ndryshe, Kurti në katërvjetorin e miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, pati thënë se në Mal të Zi do të vijë një qeveri e re së shpejti dhe me të cilin mund të bisedohet për çështjen e demarkacion, për dallim nga qeveria paraprake, që kishte përbrenda elemente pro ruse.

    Por, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nuk do ta ridiskutojnë temën e demarkacionit me Kosovën, në një intervistë të dhënë së fundi./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!