×
  • Lajme
  • Lajme

    Brnabiq: Lajmi për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë i pavërtetë, ma tha vetë Haradinaj

    Reporteri
    05 Korrik 2019 | 11:10

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës  gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim që t’u ndalojë hyrjen në territorin e Kosovës, të gjithë zyrtarëve serbë. 


    Ndaj këtij vendimi reagoi dje edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq i cili e quajti vendimin të paprecedentë dhe shuplakë jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe BE-së dhe tërë bashkësisë ndërkombëtare.

    Mirëpo, gjatë ditës së sotme kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka deklaruar se kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, i ka thënë asaj se lajmi për ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë, është i pavërtetë. Kështu shkruan sot Tanjugu serb, transmeton Reporteri.net.

    Brnabiq u shpreh se këtë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ia ka thënë në  Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Poznan të Polonisë.

    “Unë jam e kënaqur që e dëgjova nga Ramush Haradinaj se ky është një lajm i rremë”, u shpreh kryeministrja serbe.

    Sipas Brnabiq kjo sado pak ulë tensionet, të cilat sipas saj janë të larta në rajon.

    Lajmi për t’u ndaluar hyrjen zyrtarëve serbë në Kosovë ishte bërë i ditur nga këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj  i cili tha se ky vendim pasoi pas zhvillimeve të ditëve të fundit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku me mbështetjen politike të Beogradit, autoritetet e atjeshme dhe tregtarët kishin mbyllur për dy ditë të gjitha dyqanet në shenjë proteste ndaj taksës 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vendosur të gjitha importeve nga Serbia, shkruan Reporteri.net.

    Kujtojmë se aktualisht në Poznan të Polonisë, po mbahet Samiti i Vendeve të Ballkanit Perëndimor, takim ky që rrjedh nga Procesi i Berlinit, ku po marrin pjesë  kryeministrat e rajonit./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!