×
  • Lajme
  • Botë

    Marina birtanike konfiskon një anije iraniane

    Reporteri
    05 Korrik 2019 | 16:49

    Marina Mbretërore britanike konfiskoi në Gjibraltar një anije iraniane që dyshohet se po transportonte naftë të papërpunuar në Siri, duke shkelur sanksionet e Bashkimit Evropian.


    Uashingtoni nuk e ka konfirmuar ende lajmin, por këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton tha se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të ndalojnë Sirinë dhe Iranin të “përfitojnë nga tregëtia e paligjshme”.

    Autoritetet e Gjibraltarit, me ndihmën e Marinës Mbretërore Britanike, e kapën anijen “Grace 1” të enjten herët në mëngjes në ujërat e detit Mesdhe, katër kilometra larg Gjibraltarit.

    Irani thirri në një takim ambasadorin britanik në Teheran për t’i shprehur “kundërshtimin e tij të fortë ndaj konfiskimit të paligjshëm dhe të papranueshëm” të anijes, sikurse u shpreh ai.

    Ministria britanike e Mbrojtjes publikoi imazhe të një helikopteri mbi anije, duke thënë se operacioni ishte kryer me kërkesën e autoriteteve të Gjibraltarit.

    Por ministri i jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, tha se beson se manovra dramatike ishte kryer me kërkesën e Shteteve të Bashkuara. Spanja e ka kritikuar konfiskimin, duke thënë se praktikisht anija ishte në ujra spanjolle.

    Irani mbështet luftën e presidentit sirian Bashar al-Asad kundër forcave të shumta rebele që po përpiqen ta largojnë atë nga pushteti.

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Sirisë. Vitin e kaluar Presidenti Donald Trump vendosi sanksione ndaj eksporteve iraniane të naftës pas largimit të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Teheranin e arritur në vitit 2015.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!