Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me marrëveshjen që po pritet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë për rrymën në veri të Kosovës, të paralajmëruar nga udhëheqësi i palës kosovare në dialog, Besnik Bislimi.
Haradinaj thotë se gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë brenda një sistemi energjetik.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut. Kosovës ia siguruam pavarësinë energjetike që vite më parë dhe kjo falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe aspak të lehta. Prandaj, qeveria e tanishme i ka pasur të gjitha predispozitat që nga fillimi i mandatit të saj, të përfshijë qytetarët e veriut të vendit, në sistemin energjetik të Kosovës, njëherësh që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas tij, çështjet teknike administrative nuk duhet të kthehen në probleme politike.
“Për këto arsye, çdo shtyrje e zbatimit të kësaj normative, jo vetëm që është e vonuar por edhe me kosto të papërballueshme. Çështjet teknike administrative nuk duhet të shndërrohen në probleme politike”, ka thënë ai.